Avokati i Popullit ka renditur problemet që has kjo shtresë
Në ditën botërore të personave me aftësi të kufizuara janë bërë një sërë apelesh për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie të shoqërisë. Gjatë një deklarate për mediat, Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka theksuar se ka mjaft probleme që në aksesin e tyre e deri te mosdhënia në kohë e pagesës së paaftësisë. “Mungesa e përshtatshmërisë së aksesit në ambientet publike dhe private, moszbatimi i rimbursimit të biletës në transportin urban, mohimi i të drejtës së përfaqësimit, janë disa prej problemeve. Ndërkohë, një shqetësim tjetër është moszbatimi i dispozitave ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, mungesa e statistikave për personat me sëmundje të rënda mendore, mosdhënia në kohë e pagesave të aftësisë së kufizuar”, nënvizoi Avokati i Popullit. Gjithashtu, ai kërkoi një angazhim më të madh nga ana e strukturave shtetërore për personat me aftësi të kufizuara. Ndër të tjera shtoi se kjo shtresë mbetet e margjinalizuar dhe duhet të ndryshohet perceptimi që ekziston për ta. Nga ana tjetër, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka theksuar se është rritur numri i personave me aftësi të kufizuara që janë punësuar. “Këtë vit u dyfishua Fondi i Nxitjes së Punësimit edhe për personat me aftësi të kufizuara. Besoj se duke i mbështetur financiarisht kompanitë nëpërmjet nxitjes së punësimit, arrijmë të thyejmë një barrierë kulturore dhe të çlirojmë mendjet tona nga paragjykimet”, tha ai. Përpos kësaj shtoi se nuk ka më vonesa në dhënien e parave për personat me aftësi së kufizuara dhe se qeveria i ka fondet për të shlyer pagesat e tyre. “Më vjen mirë që po hyjmë në një vit pa borxhe. Vitin tjetër do të ketë përpjekje për të rritur fondin për aftësinë e kufizuar”, pohoi ministri i Mirëqenies. Në vitin 1992, Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 3 Dhjetorin ditë të personave me aftësi të kufizuara. Kjo u bë me qëllim për t’u ardhur në ndihmë dhe treguar më tepër vëmendje ndaj kësaj shtrese të shoqërisë.
Marrë nga gazeta-shqip.com