Avokati i Popullit: Nuk janë marrë parasysh rekomandimet për vendstrehimet provizore
Rekomandimet e Avokatit të Popullit për vendstrehime për qytetarët e pastrehë, duket se kanë rënë në vesh të shurdhët. Tani që Institutiti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka paralajmëruar për përkeqsim të kushteve klimaterike dhe shtim të reshjeve të shiut e borës, Totozani iu ka bërë sërish thirrje kryebashkiakëve.
Ai ka përsëritur rekomandimin për kryetarët e bashkive në të gjithë vendin, të marrin masa organizative në përgatitjen e vendstrehimeve provizore. Duke thënë se ka grupe në nevojë emergjente që rrezikojnë jetën apo shëndetin, dhe kërkojnë ndihmë nga organet e pushtetit vendor. Totozani iu kujton se drejtuesit vendor e kanë detyrim ligjor të tregojnë përkujdesje për çdo qytetar në territorin që administrojnë, e sidomos për më të vobektit e të pamundurit.
Nisur nga kushtet e vështira klimaterike që pritet të përballet vendi, Avokati i Popullit e konsideron emergjente dërgimin në vendstrehime provizore atë kategori të popullsisë që janë në pamundësi totale të sigurimit të një banese të përshtatshme.
/m.g