Dyfishohet kompensimi për energjinë elektrike, kategoritë që përfitojnë
Rimbursimi për 208 mijë familjet që janë pjesë e skemës së kompensimit të energjisë elektrike pritet të dyfishohet.
Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, tha gjatë prezantimit të modelit të ri të asistencës se vlera e rimbursimit prej 648 lekësh, që u vendos pas heqjes së vashës prej 300 KW, do të shkojë në 1296 lekë në muaj. Klosi tha se kjo rritje është pjesë e paketës së programeve mbështetëse që do të aplikohet për kategori të caktuara ku përfshihen pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Skema e rimbursimit, përfitojnë vetëm familjet që nuk janë debitore ndaj OSHEE
Rritja e masës së kompensimit të dritave nuk do të përfshijë ndryshimin e numrit të përfituesve dhe as të kritereve të përfitimit. Kushti tjetër që vazhdon të mbetet në fuqi është edhe fakti që për heqjen e fashës deri në 300 kilovatë do të mbështeten financiarisht vetëm ato familje, të cilat nuk rezultojnë debitore në OSHEE, pra i kanë paguar në mënyrë të rregullt të gjitha faturat.
Po ashtu rimbursimi përfitohet vetëm nga një prej pensionistëve në familje. Krahas pensionistëve dhe familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, pjesë e skemës së kompensimit janë edhe të verbrit, personat me aftësi të kufizuar, si dhe të gjithë punonjësit e administratës shtetërore me pagë nën 35 mijë lekë. Për këta të fundit kriteri i përfitimit është që në familje të mos ketë të punësuar të tjerë.
PENSIONISTËT
Gjithsej janë rreth 80 mijë pensionistë që përfitojnë kompensim për dritat. Disa muaj më parë skemës iu shtuan rishtazi edhe 5 mijë të moshuar të tjerë. Në kategoritë përfituese u përfshinë edhe pensionistët që banojnë në fshat, të cilët do të kenë mundësi që të marrin 648 lekë çdo fundmuaji, në formë rimbursimi, pas heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kilovatë. Por ky rimbursim përfitohet vetëm nga ato familje pensionistësh që nuk kanë anëtarë të tjerë.
/l.k./