Gjykata kërkon hetimin e stafit të QSUT për vdekjen e 11 vjeçarit Denis Almadhi
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi të urdhërojë Prokurorinë e Rrethit Tiranë të rihapë hetimet për përgjegjësinë e drejtuesve të QSUT “Nënë Tereza” për vdekjen e të miturit Denis Almadhi.
Bëhet fjalë për 11-vjeçarin Denis Almadhi, i cili ka humbur jetën në nëntor të 2012-ës gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në QSUT. Ndërhyrja u bë nga dy mjekë irlandezë, Gerald Fahy dhe Kevin Clarkson, nën vëzhgimin e një ekipi mjekësh shqiptarë nga stafi i spitalit. Gjatë ndërhyrjes pacienti pësoi hipertermi malinje si rezultat i reaksionit nga anestezia.
Prindërit e të ndjerit, kanë bërë vitin e kaluar një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës ndaj drejtuesve të QSUT pasi ata kishin lejuar mjekët irlandezë të kryenin operacionin pa u njohur më parë me aftësitë e tyre profesionale, pa u akredituar nga Urdhëri i Mjekut si dhe për shkak se salla e operacionit nuk ishte e pajisur me Dantrolen, preparat i cili do të shpëtonte jetën të ndjerit.
Prokuroria e Rrethit Tiranë nisi hetimet për ngjarjen duke u kufizuar në nxjerrjen e përgjegjësisë së dy shtetasve irlandezë, por nuk u zgjerua më tej për të analizuar përgjegjësinë e drejtuesve të spitalit. Në gjykim u dërguan vetëm dy shtetasit irlandezë dhe gjykata deklaroi fajtor shtetasin Kevin Clarkson (anestezisti), të cilin e dënoi me gjobë në masën 60.000 lekë.
Gjykata e pa të arsyeshme të urdhëronte nisjen e hetimeve për të dalë në një konkluzion që të mund të zbardhë të gjithë zinxhirin shkak-pasojë për ngjarjen, duke përfshirë të gjithë përgjegjësit. /m.g
Burimi: Res Publica