Hapja e dosjeve, Veliaj: do ndjekim modelin gjerman
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka theksuar sot se qeveria shqiptare është e vendosur për transparencën dhe nxjerrjen e të vërtetave të diktaturës, duke njoftuar se për këtë do të ndiqet modeli gjerman.
Në një konferencë për këtë temë, Veliaj ka thënë se deri më sot shoqëria e tërë ka dështuar të përballet me të vërtetat e diktaturës. “Qeveria është e vendosur të përballet me të shkuarën dhe ka vendosur edhe modelin që do të ndjekë në trajtimin e kësaj cështjeje. Qeveria është e vendosur të fitojë nga eksperienca gjermane”- tha ai. Sipas Veliajt, shumica qeverisëse nuk mendon se duhet pritur ende më për të bërë transparencë. “Ka shume qe jane te mendimit se kjo kërkon distancë kohore që të shmangë përballjen eemocionale, por ky nuk është qëndrimi i maxhorances, koha është tani, në mos ka kaluar. Jemi vonë në këtë përpjekje, u kemi borxh viktimave e trashëgimtarëve që të njohin vuajtjen dhe shkaktarët”- tha ai.
Sipas tij, do të ngrihet një institucion i besueshëm me figura me integritet të lartë që do të bëjnë mbledhjen dhe gjithë trajtimin e materialeve dhe dokumenteve arkivore për këtë qëllim. Ai ka thënë se vetëm në arkivin e Ministrisë së Brendshme janë 1.5 milionë
fletë, e mijëra dosje të tjera që duhet të bëhen pjesë e këtij procesi.
Marrë nga Panorama.com.al