Historia e Kujtimit, 35- vjeçari i verbër që punon si fizioterapist prej 4 vitesh
“Nëse të tjerët mundohen 100% unë duhet të mundohem 120%, përndryshe nuk do t’ia dal”. Ky ishte dhe mbetet lajtmotivi i jetës së tij. Nuk u lodh kurrë. Nuk u dorëzua asnjëherë. Nuk rreshti së lexuari e mësuari. Nuk harroi t’i kujtonte vetes çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, për 17 vite me radhë se nëse nuk do të investonte për veten e tij do të harrohej shpejt…
Kujtimi lexon edhe pse nuk shikon. Kujtimi shkruan edhe pse nuk sheh. Kujtimi ka kryer shkollën e lartë edhe pse është i verbër. Kujtimi ka një punë edhe pse nuk shikon. Kujtimi ka një djalë që për fat shikon edhe pse i ati e sheh vetëm në imagjinatën e tij.
Ai nuk sheh, sepse lindi me shikim të reduktuar për shkak të retinës së zgjeruar, por kjo nuk e pengoi që ta trajtonte veten njësoj si të tjerët. 35-vjeçari thotë se bisedoi gjatë me veten ditën kur kuptoi se ai nuk mund t’i lexonte më pyetjet e provimit, që do t’i mohonin atij një mundësi të madhe, të drejtën për të ndjekur studimet e larta, më vonë të drejtën për t’u punësuar.
“Mes dilemës për t’i pranuar vetes aftësinë time të kufizuar dhe për t’u ndarë nga gjithçka vetëm e vetëm pse nuk shikoja dhe përpjekjes për të ndryshuar jetën time pavarësisht se jam i verbër zgjodha të shfrytëzoj çdo mundësi për të gjetur rrugën e shpresës, të shpëtimit tim, atë që do të më jepte një shkollë nëse do të mësoja, atë që do të më njihte me miq e shokë, atë që do më jepte një profesion, që më vonë do të përkthehej në një vend pune, që do të më siguronte para për veten dhe familjen që ëndërroja të krijoja në të ardhmen. Ishte zgjedhje e vështirë, por me shumë dëshirë, vullnet dhe me mbështetjen e madhe të familjes ia dola”, tregon për Gazetën Shqip, Kujtim Hysesani.
Ai ka lindur në Përmet dhe në vitin 1999 u transferua në Tiranë ku ndoqi dy vitet e fundit të shkollës së mesme. Deri në moshën 18- vjeccare ai shikonte dhe pse me vështirësi. Ai tregon për përballjen më të vështirë në jetën e tij, kur dëshira për të ndjekur studimet e larta për fizioterapi iu ndalua pasi nuk mund të jepte provim me shkrim sepse nuk mund të lexonte pyetjet.
Pas përpjekjes për disa vite me rradhë dhe kërkesave drejtuar Ministrisë së Arsimit, për t’i vënë në dizpozicion një mësues që t’i lexonte pyetjet gjatë provimit, ai u shpall fitues në degën e fizioterapisë.
Por vështirësitë e tij nuk mbaruan këtu. Për të studiuar Kujtimit i duhej të mësonte alfabetin Brail, por ai nuk e kishte mësuar ndonjëherë atë dhe për këtë arsye nuk do të dinte të mësonte nëpërmjet tij, pasi siç thotë Kujtimi kishte të bënte me ndjeshmërinë dhe duhej mësuar herët. Gjatë viteve të studimit ai u antarësua në Shoqatën e të Verbërve ku me ndihmen e disa programeve kompjuterike mundi të mësojë leksionet, të cilat i regjistronte në kohën kur flisnin pedagoget e i mësonte duk i përsëritur.
Kështu mbaroi ciklin e parë të studimeve, si student i dalluar me mesataren 9.6 dhe 9 në ciklin e dytë.
Pasi u diplomua në master trokiti në shumë zyra shteti e privati, ku u ndesh me paragjykime nga më të ndryshmet. Por ndodhi që 4 vite më parë ai të punësohej si fizioterapist në qendrën sociale multidisiplinare për të moshuarit dhe fëmijët me probleme mendore, qendër në varësi të Bashkisë së Tiranës.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar për punën që bëj. Kush lufton me veten dhe për veten ia del. Unë ia dola, edhe ju mund t’ia dilni! I kujtoj vetes që s’duhet të bëj kurrë keq apo gabime në punën time ndërsa për më të mirën mundohem në maksimum. Të moshuarit vijnë tek unë për shkak se vuajnë nga probleme kardiovaskulare, hipertension ose nga probleme reumatizmale. Unë ofroj seanca fizioterapie, këshillim të përgjithshëm shëndetësor, matje dhe këshilla për tensionin arterial. Jam shumë i lumtur me punën që bëj, sepse u shërbej njerëzve në nevojë”, rrëfen gjithë gëzim Kujtimi, i cili sot përveçse një burrë i realizuar është bashkëshort dhe baba i një vogëlushi 2 vjeç e gjysmë, për të cilin thotë se është bekimi më i madh i jetës së tij.
Kujtimi është vetëm një nga rreth 5% e personave me aftësi të kufizuara që punojnë në vendin tonë, një shembull suksesi që do t’i shërbente si model frymëzimi të gjithë personave me aftësi ndryshe për të kuptuar se nëse nuk humbin shpresën mund të jetojnë njësoj si të tjerët. /l.k./