Pas arrestimit të saj nga policia italiane të shtunën, kapitenia gjermane e anijes së shpëtimit të emigrantëve, tha se presioni i rrethanave të vështira dhe i gjendjes së emigrantëve, kishin motivuar vendimin e saj për mosbindjen ndaj urdhrave të Romës dhe zbarkimin në portin e Lampedusës.
“Për ditë me radhë kemi bërë turne dhe natën, nga frika se dikush mund të hidhej dhe për ata që nuk dininin not, kjo do të ishte vetëvrasje. Mendonim vetëm më të keqen. Pati dhe akte vetëlëndimi,” u shpreh Racket, për gazetën italiane Corriere della Sera.
Qeveria italiane fajëson Karolën për rrezikimin e jetës së katër policëve që ishin në bordin e një anijeje patrullimi. Salvini e ka quajtur atë “një akt kriminal, një akt lufte”, të cilin Rackete e mohoi plotësisht.
31 vjeçarja Carola Rackete, ndër të tjera, kërkoi falje për “krijimin e një situate rreziku dhe lemerie në mesin e zyrtarëve të policisë tatimore”, tha avokati i saj ditën e dielë. “Ishte një manovër e vështirë, por ajo u përpoq ta bënte atë në një mënyrë sa më të sigurtë … dhe në fakt, u është afruar më shumë kujdes”, vijoi avokati Alessandro Gamberini.
Si u arrestua Karola
“Sea Watch 3” me flamur holandez, drejtuar nga skuadra gjermane, kishte qenë në det për më shumë se dy javë me 40 afrikanë të shpëtuar në bord.
Pasi priti në ujërat ndërkombëtare për një ftesë nga Italia ose një shtet i BE-së për ta pranuar anijen, kapitenia Carola Rackete vendosi të lundronte për ishullin jugor italian Lampedusa, por u bllokua nga anijet e qeverisë italiane.
Në orët e para të së shtunës, Rackete hyri në portin ku anija u ankorua duke kaluar përmes “artilerisë” policore. Pamjet televizive të drejtpërdrejta të atyre çasteve, dëshmuan se Karolën e morën dhe e larguan së andejmi rojet detare dhe policia tatimore. Televizioni shtetëror RAI, paraqiti lajmin se kapitenia u arrestua për “rezistencë ndaj një anijeje lufte”, çka mund sjellë që ajo të marrë një dënim deri në 10 vite burg.
Pasi Rackete u mor, 40 afrikanët në bordin e anijes, u lejuan të zbrisnin dhe u dërguan në një qendër pritjeje në ishull. Sakaq, Salvini shkroi të shtunën në twitter: “Mërgimtarët u rishpërndarë në vende të tjera evropiane. Përfundoi misioni”, tha Salvini në një cicëroj të shtunën.
Kapitenia Rackete, është kthyer tashmë në simbol për qëndrimin sfidues ndaj autoritetit të Salvinit, çështja e së cilës gjithsesi është nën hetim për thyerjen e ligjeve të përforcuara italiane, kundër anijeve jo-qeveritare të shpëtimit.
Një burim i Zyrës së Jashtme deklaroi sipas ligjeve italiane anija “Sea Watch 3” do të konfiskohet, duke shtuar se do të ketë dhe një gjobë prej 20,000 eurosh, shumë e cila nëse nuk paguhet në kohë, mund të shkojë deri në 50,000 euro. /l.k/
Për më shumë informacion ndiqni videon e mëposhtme nga EuroNews.