Komiteti Shqiptar i Helsinkit çon në Gjykatën e Strasburgut organet gjyqësore shqiptare
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka çuar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg organet gjyqsore në Tiranë. Bëhet fjalë për shkeljet e kryera nga organet gjyqësore shqiptare ndaj shtetasit F.P, i cili ka kërkuar hetimin e vdekjes së vëllait të tij shkurt të 2011, në kushtet kur ai ishte duke ekzekutuar dënimin me burgim. Ai ka kërkuar hetim të plotë dhe të gjithëanshëm nga prokuroria, sa i takon fakteve që hedhin dritë për dyshime të arsyeshme, për mjekim të pakujdesshëm dhe trajtim ç’njerëzor dhe degradues ndaj vëllait të tij. Viktima vuante nga sëmundjet “psoriasis“ dhe “obezitet elefantoz“.
Fillimisht kallëzimi penal për hetimin e kësaj ngjarjeje është bërë nga Komisariati i Policisë nr. 4, por Prokuroria Tiranës ka vendosur mosfillimin e proçedimit penal. Vëllai i viktimës e ka kundërshtuar në Gjykatë vendimin, por edhe gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë kanë vendosur rrëzimin e ankimit me argumentin se nuk kishte qenë ai që kishte bërë fillimisht kallëzimin penal për vdekjen e të vëllait.
KShH thotë në një deklaratë për shtyp se snkuesit i është mohuar e drejta për zhvillimin e një proçesi hetimor dhe gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm, lidhur me të gjitha kërkimet e tij për vdekjen e të vëllait. Gjithashtu i është mohuar dhe e drejta për t’ju drejtuar një autoriteti të brendshëm për të kërkuar zgjidhje efektive lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të garantuara nga Konventa.
Shtetasi F.P është mbështetur me asistencë ligjore nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për përfaqësimin e tij para autoriteteve shqiptare si dhe për dërgimin e kërkesës në Gjykatën e Strasburgut. /m.g