Ku është shteti?! 70-vjeçari në luftë për të mbijetuar me gruan dhe dy vajzat e vogla
Historitë rrënqethëse të familjeve të varfëra e të pastreha në Shqipëri kanë filluar të zënë gjithmonë e më shumë hapësirë në media. Kjo jo vetëm se media ka filluar t’i kthejë sytë nga ta, por se numri i këtyre familjeve është aq i madh sa nuk mund të mos i shohëh. Një prej këtyre është ajo e familjes së Dines. Varfëria është ulur këmbëkryq në familjen e burrit 70 vjeçar, i cili jeton në kushte të tmerrshme bashkë me gruan e tij Brisildën 31 vjeçe dhe dy vajzat e vogla 6 vjeçe dhe 3 vjeçe, ndërsa presin edhe një fëmijë të tretë.
Sejdin Gardelina dhe Brisilda, nuk janë martuar zyrtarisht, por ata jetojnë bashkë prej 15 vjetësh, në Tiranë. Fati ka bashkuar dy persona me të cilët jeta ka qenë e pamëshirshme.
Dinia ka lindur dhe jetuar në Tiranë, ka punuar për më shumë se 12 vjet në Postën e Tiranës dhe në Kombinatin tekstil “Josif Pashko”. Është martuar dhe ndarë shumë i ri dhe nga martesa e parë, ka patur edhe një djalë. Jeta e tij filloi të marrë kthesë pas ndarjes nga gruaja e parë dhe më pas nga humbja e djalit të tij, i cili u vra me thikë në fund të vitit ’97. Kanë kaluar gati 19 vjet dhe ai ende nuk e di kush ia vrau djalin, pasi askush nuk është dënuar për atë vrasje.
Para 15 vjetësh Dinia është njohur me Brisildën, një vajzë nga Korça, e cila gjithashtu ka një histori të dhimbshme nga ana e saj. Ajo ka humbur shumë shpejt prindërit duke mbetur rrugëve dhe në mëshirë të fatit. Gjithashtu edhe ajo tregon se ka kaluar shumë peripeci, dhunë e keqtrajtime nga më të ndryshmet. Njohja me Dinen i ka bërë të mundur të paktën të ketë një strehë ku të fusë kokën, si thotë ajo, dhe një copë bukë.
Sot, familja e tyre jeton në varfëri të skajshme. I rezistojnë të ftohtit me çfarë munden sepse në dhomën që kanë sajuar për të jetuar mungon izolimi, era hyn nga të katër anët, nuk ka ngrohje e as energji elektrike apo ujë. Gjatë natës mbulohen me çfarë të munden: me lecka të mbledhura nëpër kosha plehrash e copa mushamaje.
Për t’u ushqyer, ia dalin vetëm me punët që mund të kryejë Sejdini. Ai bën çdo punë që i del përpara, megjithëse nuk është më djalë i ri, mbledh kanaçe tek koshat e plehrave, mbledh hekurishte e rrangullina të vjetra. Bën çdo lloj pune që banorët e zonës i kërkojnë, si hamallin, pastrimin e ndonjë pusete, pastrimin e ndonjë oborri dhe mjaftohet me aq para sa i jep ose ushqim apo veshmbathje për dy vajzat e vogla.
I pyetur nëse shteti i ka ndihmuar deri më sot, ai thotë se askush nuk është dukur në derën e tyre. Nuk janë interesuar as për strehimin, as për ushqimin apo vaksinimin e vajzave të vogla. Familja e Sejdinit nuk merr as ndihmë ekonomike apo ndonjë gjysmë pensioni meqënëse ai ka punuar, gati 15-vjet në shtet, Dinja nuk e di sesi funksionon shteti, por nga ana tjetër, as shtetit nuk ia ndien për Dinen dhe familjen e tij. Shteti ku ne jetojmë nuk shqetësohet për fatin e atyre dy vajzave të vogla që po rriten, për të cilat nëse nuk interesohet në kohë fati i tyre do të jetë tragjik… /m.g
Shkrimi i plotë: tesheshi.com