Mësuesi i verbër shkarkohet nga detyra
K. Gjonbrati,një 55 – vjeçar i verbër, prej vitesh ka punuar si mësues i punës me dorë në një shkollë të Vlorës. Me të ardhurat nga puna, ai ka mbajtur familjen prej vitesh të tëra.
Por sot, ai rrezikon ta humbasë punën. Gjonbrati thotë se drejtori i shkollës, prej kohësh kishte nisur t’i shkurtonte orët e mësimit, deri në momentin kur i tha se vendi i punës së tij do të shkurtohet.
Lënda e tij, nuk do të ekzistojë më në programin shkollor të institucionit ku K. Gjonbrati punon.
“Unë jam 55 vjeç dhe askush nuk më merr më në punë në këtë moshë. Kam shkuar dhe jam ankuar te drejtoria arsimore, tek Avokati i Popullit, në Gjykatë, ku nuk kam shkuar, por të verbrit dhe invalidët e punës në Shqipëri, gjithmonë nënvlerësohen dhe diskriminohen”, thotë 55-vjeçari.
Pas kësaj, z. Gjonbrati i duhet të përballet me papunësinë dhe sakrificën për të mbijetuar bashkë më familjen e tij.
Ai, ndonëse e kishte një vend pune, tani rrezikon ta humbasë atë, madje pa marrë sqarimet e duhura apo përpjekjet e nevojshme nga drejtoria arsimore për ta angazhuar në një tjetër pozicion.