Minatorët protestojnë përpara Kryeministrisë: “U mbush kupa, mjaft! Qeveri dil nga bunkeri!”
“U mbush kupa, mjaft! Qeveri dil nga bunkeri!”, dhjetëra minatorë e përfaqësues të sindikatës së tyre protestuan sot para Kryeministrisë me pankarta në duar.
Protesta vjen një ditë pas ngjarjes së rëndë ku një minator 67-vjeçar humbi jetën në një nga galeritë e Bulqizës. Minatori me inicialet E.K. sipas ligjit kishte dalë në pension prej kohësh, por ashtu si shumë minatorë të tjerë detyrohej të punonte në të zezë për shkak të vështirësive ekonomike dhe pensionit të ulët.
Minatorët kërkuan nga partitë që të ulen e të bien dakord për vendosjen me ligj të statusit të minatorit, siç është premtuar prej kohësh.
Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri renditi katër kërkesa të minatorëve në një intervistë për Fax News:
- Pensioni 135% i pagës minimale të minatorit
- Përshkallëzimi i moshës së pensionit
- Trajtim mjekësor falas
- Transparencë në shpërndarjen e fondit për pensionet e minatorëve për të shmangur abuzimet
‘Duam Statusin e Minatorit që na premtoi Rama dhe që na takon me të drejtë.’ ‘Rama ik’, ‘Kërkojmë ligjin, jo Maliqin’, thërrisnin minatorët para kryeministrisë . Nga ana tjetër, edhe minatorët e Munellës kanë zhvilluar një tjetër protestë paralele dhe kërkojnë që kompania për të cilën punojnë të japë pagat e prapambetura.
Pas këmbënguljes dhe përplasjeve me policinë, përfaqësues të grupit të minatorëve realizuan një takim në Kryeministri. Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve foli për mediat pas takimit në Kryeministri.
Minatorët përplasen me policinë/Foto: LSA
“Takimi nuk ishte as mish a peshk, por protesta e arriti qëllimin e saj. Ne ramë dakord që brenda javës që vjen të kemi një takim me kryeministrin. Besoj që kryeministri nuk i ka pasur në tavolinë kërkesat tona, ato janë trajtuar nga institucionet e tjera. Ai do përballet me kërkesat tona sa më shpejt që të jetë e mundur dhe besojmë se do arrihet një marrëveshje që do jetë e pranueshme nga të gjitha palët”, tha Xibri.
/l.k./