Mungojnë ilaçet, mjekët bastisin shërbimin e hematologjisë në QSUT
Gjendje rrëmuje dhe alarmi në shërbimin e hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Vonesat në nënshkrimin e kontratave për ilaçet (citostatikët) kanë prodhuar një situatë kaotike. Shoqata Together for Life ka bërë një investigim mbi këtë problem dhe shkruan se të sëmurët me kancer gjaku prej mbi dy javësh po përcillen pa trajtim. Ata janë detyruar të lënë krevatet edhe të ikin pa një datë se kur mund të kthehen për të bërë ciklin e kimioterapive: “Po na çojnë në shtëpi pa na bërë kimiot. Nuk duam të ikim. Po na detyrojmë që të firmosim fletëdaljen”, shprehen pacientët, shkruan Together for Life.
Të sëmurët me kancer janë ata që vuajnë më shumë nga mungesat në trajtimin e tyre dhe që pothuajse gjithmonë duhet t’i blejnë vetë ilaçet. Investigimet nga “Together for Life” kanë treguar se këta të sëmurë trajtohen zakonisht me ilaçe të cilat i blejnë vetë dhe që shpesh sillen në Shqipëri kontrabandë.
Shefja e shërbimit të Hematologjisë, Tatjana Caja, thotë se nuk është faji i saj për situatën e krijuar, ndërsa burime nga drejtoria e QSUT-së deklarojnë se vazhdojnë të jenë në fazë lidhjesh kontratash për ilaçet, shkruan Together for Life.
Ndërkohë, pavarësisht premtimeve se problemi me ilaçet do të zgjidhet shumë shpejt, situata ende vazhdon po e njëjtë dhe mungesat janë të theksuara. Një gjë e tillë përbën shkelje të të drejtave të këtyre pacientëve, duke sjellë pasoja të rënda në shëndetin dhe jetën e tyre. Sipas pacientëve, shteti po e neglizhon vazhdimisht faktin e furnizimit të spitaleve me ilaçe.
“Sot në mëngjes vdiq një djalë këtu. Ne që e kemi parë, e dimë që se ka bërë trajtimin. Nuk duam të vdesim këtu”, tregojnë pacientët.
Sipas investigimit të shoqatës Together for Life, pacientët thonë se mjekët po i detyrojnë të firmosim fletëdaljen, pa bërë mjekimin.
“U shtrova sot java, I mbarova shoqërueset e Mabtherës. Pritëm një javë, sot do bënim Mabt’herën, vetëm kur na vijnë me fletëdalje. Fajin s’e kanë këta, e kanë ata lart”, thotë njëri prej pacientëve.
E pyetur nga gazetarët e Together for Life për mungesën e medikamenteve, Tatjana Caja, shefe e shërbimit të hematologjisë thotë se nuk është faji i saj.
“Mos më implikoni më me këto gjëra. Nuk kam dëshirë të flas. Çdo ditë bëjmë kërkesë. Sot janë 8 kërkesa. Shko kërkoje atje ku duhet, në drejtori dhe te farmacia qendrore”.
E ndërsa drejtoria e QSUT-së thotë se janë në fazë nënshkrimi kontratash dhe nuk i presin ilaçet të vijnë këto ditë.