Nis testimi për 544 punonjës të qendrave të shërbimit social
Ministria e Mirëqënies Sociale ka zgjedhur 2 tetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës, për të nisur testimin për 544 punonjës socialë që shërbejnë në qendrat rezidenciale për fëmijët, personat me aftësi ndryshe dhe moshën e tretë.
Ky proces u premtua se do të realizohej pas publikimit të videos së keqtrajtimit të fëmijëve në jetimoren e Shkodrës rreth 3 muaj më parë.
Ministri Klosi tha se të gjithë ata që nuk do arrijnë ta kalojnë testimin nuk do kenë më vend në qendrat e ofrimit të shërbimeve sociale. “Nëse testimi nuk del pozitiv, atëherë në bazë edhe të legjislacionit në fuqi, personeli që nuk kualifikohet mund të vazhdojë në sistemin tjetër, pra në atë të qytetarëve pa problematika, por në sistemin tonë ku kërkohet një shërbim më i specializuar, nuk mund të shërbejë dot”, – shtoi ministri.
Ndërkohë, për ata punonjës socialë që do ta kalojnë këtë provim, ai ka premtuar se do t’u nënshtrohen kualifikimeve të vazhdueshme në mënyrë që të përmirësojnë më tej aftësitë e tyre të shërbimit.
Testimit do t’i nënshtrohen në total 544 punonjës socialë, dhe ai do të kryhet në dy faza; me shkrim dhe me gojë. Sot po zhvillohet provimi me shkrim, ndërsa javës tjetër do të zhvillohet testimi me gojë.
/l.k./