Njeriu që doja, më ktheu në prostitutë, rrëfimi i 23 – vjeçares shqiptare në median britanike
Një histori rrëqethëse vjen nga Britania, ku një shqiptare 23 vjeçare rrëfen se si i dashuri i saj e mashtroi për një jetë të mirë jashtë Shqipërisë dhe më pas e kthehu në skllave dhe prostitutë rrugëve të Europës.
Vajza 23 vjeçare që në një intervistë për “Belfast Telegraph” identifikohet me pseudonimin Ema, ishte parukiere dhe studente parttime e Ekonomikut në Shqipëri, kur u njoh me një djalë, që ishte klienti i saj në parukeri, i cili i premtoi se do ta merrte si stiliste në firmën e tij të modelingut, e cila në fakt nuk ekzistonte.
Ajo pranoi dhe shpejt, i dashuri i saj u shndërrua në tutor, duke e zhvendosur Emën, sa në Gjermani, Itali dhe Shqipëri, duke e përdorur si skllave seksi dhe duke e kyçur në dhoma hoteli. Duke kujtuar historinë e saj, Ema rrëfen se kur punonte si parukiere kishte një klient.
“Ai më fliste për një ide të vetën, për të hapur një agjenci mode. Nuk ishte e vërtetë. Ai më gënjeu. Unë zgjodha të shkoja me të jashtë vendit dhe të nisja një jetë të re”.
Kur kishin mbërritur në Gjermani, ajo e kishte kuptuar që diçka nuk shkonte me të dashurin e saj, pasi ai përdorte pasaporta dhe dokumente të falsifikuara.
“Nuk mundja dot të arratisesha, pasi ai më kyçte. Gjithnjë kisha një person që më vëzhgonte dhe nuk isha asnjëherë vetëm. Nuk kisha mundësi të arratisesha. Kisha frikë se do t’i bënte diçka familjes sime”, tregon ajo.
Shansi i arratisjes iu dha vetëm kur policia italiane e gjeti dhe i kërkoi të dëshmonte kundër të dashurit të saj dhe bandës së tij të trafikimit. Policia italiane e deportoi mbrapsht në Shqipëri. Por e trembur nga një hakmarrje e mundshme në Shqipëri, Ema i ishte shmangur familjes dhe vendosi të kalonte kufirin e fshehur në një kamion, për në Britani.
Tani ajo gjendet atje, dhe ka marrë përkujdesje në një qendër rehabilitimi për gratë, vajzat dhe fëmijët, viktimë e dhunës dhe trafikimit për qëllime prostitucioni.
Ajo thotë se nuk ishte zgjidhje e saj të ishte në Britani, por tani pas 9 muajsh, është e lumtur që ka bërë këtë zgjedhje pasi i është rikthyer shpresa për të ardhmen.
https://www.youtube.com/watch?v=93blDnx_5xU
Burimi: Belfast Telegraph