Pronësia Intelektuale: Shqipëria renditet e 115-ta në botë dhe e parafundit në rajon
Indeksi Ndërkombëtar për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale ka shqyrtuar për herë të parë këtë vit edhe Shqipërinë, e cili renditet e pesëmbëdhjeta nga fundi në rang botëror dhe e parafundit në rajon. Konkretisht, vendi ynë është i 115-i ndër 129 vende të shqyrtuara.
Rezultati total i Shqipërisë ishte 3.7 pikë, ndërkohë që vendi i parë në botë që është Finlanda, ka plot 8,3 pikë.
Ky indeks, i përpiluar nga Fondacioni për lirinë ekonomike, bazohet në disa indikatorë: mjedisi ligjor dhe politikat, të drejtat e pronave fizike, të drejtat e pronësisë intelektuale.
E drejta intelektuale “i referohet krijimeve të mendjes, si shpikjeve; punimeve të letërsisë dhe atyre artistike; dizajneve dhe simboleve, emrave dhe imazheve që përdoren në tregti”.
Sa i përket të drejtës së pronësisë fizike, marrim një renditje më të ulët, të 114 nga 129 shtete të studiuara, ndërsa për të drejtën intelektuale kemi pikësimin më të ulët prej 2.8 pikë, e renditemi në 10-shen e fundit.
Raporti tregon se Shqipëria ka ende mungesa në të drejtën e autorit pasi, niveli i piraterisë është i lartë. “Duhen bërë ende më tepër politika për Mbrojtjen e Patentave “ – thuhet në raport.
Në krye të renditjes globale për sa i përket mbrojtjes së pronësisë intelektuale, qëndron Finlanda, e ndjekur nga Norvegjia dhe Zelanda e Re. Ndërsa të fundit renditen: Libia, Angola dhe Nigeria.
Përsa i përket renditjes në rajon, Shqipëria bën pjesë në rajonin e “Europës Lindore dhe Azisë Qendrore”, ku në vend të parë qendron Estonia, e ndjekur nga Çekia, Polonia.
Ndërsa në tre vendet e fundit ku bën pjesë edhe vendi ynë, ndodhen Moldavia, Shqipëria, Serbia. /m.g
Burimi: Revista Monitor