Punësim, zgjidhja për personat me aftësi ndryshe!
(Klikoni mbi një nga fotot për të parë të plotë galerinë e fotove) – Nga Marinela Gremi
Shfaqet dokumentari “Fuqizimi ekonomik i personave me aftësi të kufizuara përmes punësimit”.
Kinema Millenium priti sot dokumentarin “Fuqizimi ekonomik i personave me aftësi të kufizuara përmes punësimit”. Dokumentari i mbështetur nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe USAID, me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Camit solli për publikun disa histori suksesi.
Dokumentari ishte ndërtuar sipas një përqasje pozitive, mbi ç’ka është bërë deri më sot në mbështetjën e komunitetit të personave me aftësi ndryshe.
Zv. Ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë znj. Bardhylka Kospiri tha se, “shumë e rëndësishmë është së pari zbatimi i ligjit ekzistues për përmbushjen e kuotave të punësimit të personave me aftësi të kufizuar si nga ana e institucioneve publike dhe atyre private”.
“Në grupet e personave që kërkojnë punë, ka një vëmendje shumë më të madhe nga çka qenë më parë lidhur me aftësinë e kufizuar. Duke u nisur nga fakti se edhe në ligjin e nxitjes së punësimit është shtuar një VKM ku një fond specifik i jepet punëdhënësve që punësojnë persona me aftësi të kufizuar, si dhe disa rregullime të tjera ligjore në ndihmë të tyre.”
Pas dokumentarit, protagonistë të tij dhe disa prej punëdhënësve diskutuan rreth asaj se çfarë mund të bëjë secili nga ne për të mbështetur punësimin e personave me aftësi të kufizuara në tregun e hapur të punës.
Marinela GREMI/HI