Shfaqet dokumentari për LGBT në Vlorë, Pinderi: “Ja që nuk u përmbys bota”
Dje, përfaqësues të Aleancës Kundër Diskriminimit LGBT dhe Pro LGBT, të mbështetur nga Qendra Rinore e Vlorës, ishin në Pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë për të shfaqur filmin dokumentar “SkaNdal”, me regji të Elton Baxhakut dhe Erjona Camit dhe skenar të dy aktivistëve të komunitetit LGBT në Shqipëri. Ky dokumentar ka fituar çmimin e parë në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë “B3F” dhe ka marrë pjesë në dy festivale ndërkombëtare të filmit, DokuFest në Prizren dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë.
Në 63 minuta përshkruhet historia e disa aktivistëve të rinj, idetë fillestare, frikërat, aksionet e para si ngjitja e posterave në rrugë apo lyerja e stolave me ngjjyrat e ylberit, e më pas rritja dhe zhvillimi i lëvizjes në evente më të mëdha.
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 60 të rinj. Do të kishin qenë edhe më shumë, por u trembën nga publiciteti negativ i bërë nga persona dhe qarqe të caktuara, për interesa të ngushta dhe për përfitim personal. Shfaqja e këtij dokumentari (theksojmë: vetem shfaqja e dokumentarit, jo paradë LGBT apo ndonje aktivitet i tjetër lloji) ishte planifikuar prej kohësh nga organizatorët. Në momentin e fundit, disa portale u munduan të lajne hesapet personale me Bashkinë Vlorë, duke e lidhur aktivitetin me çeljen e sezonit turistik. Kur e kuptuan që Bashkia Vlorë nuk kishte lidhje me shfaqjen e dokumentarit, disa persona të tjerë u munduan të godasin Universitetin e Vlorës, i cili gjithashtu nuk kishte lidhje me aktivitetin në fjalë.
E megjithatë dokumentari u shfaq.Qendra Rinore e Vlorës, Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe Pro LGBT, mendojnë se pas shfaqjes së këtij dokumentari, Vlora nuk ka më shumë homoseksualë se sa kishte para shfaqjes së tij. Ama shpresojnë se dokumentari ka ndikuar sadopak që të rinjtë që e panë të jenë bërë pak më mendjehapur dhe të kenë kuptuar se homoseksualiteti është vetëm një orientim seksual, ndërsa Homofobia është një sëmundje e rrezikshme sociale!