Shkodër/ Dhunë dhe abuzim seksual me të mitur në Shtëpinë e Fëmijës
Skandali u zbulua pas kontrollit të Avokatit të Popullit
Skandali i abuzimit me të miturit jetimë në rezidencën e fëmijëve të Shkodrës, ka nisur të hetohet në Prokurori. Sipas Avokatit të Popullit Igli Totozani, ky rast është denoncuar ditët e para të majit pas një hetimi administrativ që ky institucion po kryente në të gjitha shtëpitë e fëmijës.
“I dërguam prokurorisë një rekomandim të posaçëm për fillim hetimi. U zhvilluan intervista konfidenciale me të gjithë fëmijët në prani të psikologut mjek psikiatër dhe ekspertë të Avokatit të Popullit. Gjatë intervistave fëmijët pohuan raste të ushtrimit të dhunës nga edukatorët. Dhunë dhe abuzime seksuale dhe nga të afërm të edukatorëve”, ka thënë Totozani.
Prokuroria e Skodrës ndalon 5 nga punonjësit
Rekomandimi është pasuar nga një urdhër i lëshuar nga prokuroria e Shkodrës për ndalimin e pesë punonjësve të shtëpisë së fëmijës, nën akuzat “Keqtrajtim i të miturve” dhe “Shpërdorim detyre”. Nga hetimi i deritanishëm është zbuluar, mbështetur dhe në ekspertimin mjeko-ligjor, se tre fëmijë të mitur, femra, janë abuzuar seksualisht dhe defloruar. Po kështu, dyshohet se punonjës të personelit të shtëpisë së fëmijës kanë abuzuar fizikisht, kanë keqtrajtuar dhe i kanë vënë në punë të detyruar fëmijët që strehohen aty.
Abuzimi seksual, pasojë e neglizhencës së punonjësve
Burime nga akuza për gazetën “Balkanweb”, bëjnë të ditur se autorët e mundshëm të abuzimit seksual janë persona që nuk kanë lidhje me institucionin dhe nuk kanë të drejtë të hyjnë në ambjentet e qendrrës. Sipas prokurorisë abuzimi seksual ka ndodhur për shkak të neglizhencës së personelit, dyshohen familjet që i marrin fëmijët për bamirësi, në fundjava apo festa të ndryshme.
Ministri Blendi Klosi: “Të mos bëjmë politikë me ngjarjen”
Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, ka reaguar sot ndaj ngjarjes, duke thënë se për rastin konkret përgjegjësia është personale.
“Ngjarja e Shkodrës na ka shqetësuar të gjithëve. Kemi konstatuar se fëmijët në jetimore nuk monitorohen. Le të mos bëjmë ping pong me përgjegjësitë, por të bëhemi bashkë dhe të luftojmë fenomenin”, tha Klosi gjatë fjalës së tij në Parlament.
Drejtori i shtëpisë së fëmijës: “Të presim përfundimin e hetimeve
Drejtori i shtëpisë së fëmijës në Shkodër, Gëzim Mahmutaj, ka reaguar këtë sot lidhur me ngjarjen.
“Duhet të presim përfundimin e hetimeve për zbardhjen e së vertetës”, ka thënë Mahmutaj në një deklaratë për mediat. Ai ka theksuar se, ky është një moment i vështirë për fëmijët dhe stafin e institucionit. “Kujdesi ndaj fëmijëve duhet të jetë prioritet i punës sonë”, ka shtuar ai.
Si funksionin ky institucion?
Institucioni i quajtur “Shtëpia e Fëmijës Shkollore Shkodër”, strehon fëmijë 6 – 18 vjeç dhe është nën administrimin e Bashkisë. Aty ndodhen jo vetëm fëmijë jetimë, por edhe me prindër që ndodhen në vështirësi ekonomike dhe nuk mund të përkujdesen për ta.
/l.k./