Shqipëria vend “pjesërisht i lirë”…
Nga Gjergj Erebara, BIRN
Raporti i këtij viti i dha Shqipërisë notën 3, e pandryshuar nga viti i kaluar, ndërsa Shtëpia e Lirisë vlerësoi pozitivisht zhvillimin e zgjedhjeve krahasimisht më cilësore se sa në të shkuarën në Kosovë. Zgjedhjet e këqija në Maqedoni sollën rënien e vlerësimit për këtë vend.
“Vlerësimi për të drejtat politike në Maqedoni ra nga 3 në 4 si pasojë e problemeve serioze të hasura në zgjedhjet e prillit 2015,” thuhet ne raport.
Shtëpia e Lirisë i vlerëson vendet nga 1 në 7 ku 1 janë vendet e lira dhe 7 janë vendet ku liritë mungojnë tërësisht.
Në Bosnjë, vlerësimi për të drejtat politike u ul gjithashtu nga 3 në 4 pasi qeveria injoroi protestat domethënëse të qytetarëve të paorganizuar nga partitë politike që dolën në rugë kundër korrupsionit në fillim të vitit 2014. Sipas raportit, qeveria e këtij vendi “rezultoi gjerësisht joreaguese ndaj shqetësimeve të popullsisë”.
Shqipëria nuk shënoi përmirësime. Vendi ynë renditet pjesërisht i lirë.
Pjesa tjetër e Ballkanit konsiderohet si “e lirë” dhe mban vlerësimin 2. Raporti i Shtëpisë së Lirisë për Lirinë e Shtypit për këtë vit nuk është publikuar ende. Në raportin e fundit, i cili mbulon zhvillimet deri në fillim të vitit 2014, i gjithë rajoni i Ballkanit është klasifikuar si “pjesërisht i lirë”. Të njëjtin vlerësim mban edhe Italia.
Sa i përket treguesit të lirisë nëpër botë, raporti thotë se niveli i lirive politike dhe civile ra gjatë vitit 2014 për vitin e nëntë rradhazi.
“Pranimi i demokracisë si forma dominuese e qeverisjes në botë – si dhe të një sistemi ndërkombëtar të bazuar te idealet demokratike – është sot në një kërcënim më të madh nga sa ka qenë përgjatë të gjithë 25 viteve të fundit,” deklaroi Arch Puddington, zëvendëspresident për kërkimin te organizata Shtëpia e Lirisë.
“Deri vonë, shumica e regjimeve autoritare pretendonin se respektonin marrëveshjet ndërkombëtare dhe i kushtonin premtime boshe normave të zgjedhjeve konkurruese dhe të drejtave të njeriut,” shtoi Puddington. “Por sot ata po argumentojnë për një superioritet të formave të regjimeve që ngjajnë me regjimet njëpartiake dhe kërkojnë të heqin qafe kufizimet që krijohen nga parimet themelore diplomatike
Nga 195 vendet e vlerësuara për vitin 2014, 89 vende u klasifikuan si vende të lira, 55 të tjera si pjesërisht të lira dhe 51 vende si jo të lira. Në Europë raporti thekson Hungarinë dhe Turqinë si vende ku liria po humbet terren përballë tendencave autoritariste të udhëheqësve të tyre.
Në anën pozitive, Tunizia u bë vendi i parë arab i renditur si i lirë në më shumë se 40 vjet dhe si historia e vetme e suksesit të Pranverës Arabe deri tani. Libani ka qenë renditur si vend i lirë në raportet e Shtëpisë së Lirisë 40 vjet më parë deri sa ky vend ra në një luftë civile që zgjati për dy dekada.