Studim/ Sektori i fasoneve, më i prekuri nga parregullsia në marrjen e pagës
Një sondazh i fundit i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në kuadër të projektit “Promovimi i Standardeve të Punës në Shqipëri” mbështetur nga Olof Palme International Center në Shqipëri, ka marrë në studim zbatimin e standardeve të punës në sektorët e minierave dhe guroreve, ndërtimit dhe sektori fason.
Sondazhi i realizuar në mbi 1000 punonjës në 9 qarqe të vendit, tregon se ka një informalitet të madh të punës, ku niveli më i lartë është në sektorin e ndërtimit. Vetëm 44% e të punësuarve në ndërtime marrin pagën e plotë përmes bankës.
Marrja e pagës është një nga standardet më problematike, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe fason. Në këto sektorë reflektohet fshehja e pagës, që nga marrja e pjesës më të madhe të pagës reale nëpërmjet bankës deri te pagesa nëndorë me zarf. Studimi tregon se vetëm 59% e punonjësve në sektorin fason, 54% në sektorin minerar dhe rreth 44% e punonjësve në sektorin e ndërtimit, e marrin të gjithë pagën nëpërmjet bankës.
Sa i përket parregullsisë në marrjen e pagës, më i prekur është sektori i fasonëve. 32% e të anketurave raportojnë vonesa. 14% e të anketuarve në këtë sektor gjithashtu raportojnë se paguhen nën pagën minimale të përcaktuar zyrtarisht, në një shkelje të hapur të ligjit.
Një tjetër problem madhor është mospagesa e kontributeve shoqërore. 14% e punonjësve të anketuar në sektorin minerar dhe 11% në sektorin e ndërtimit deklarojnë se nuk u paguhen kontributet e sigurimeve nga ana e punëdhënësit, kjo në krahasim me 4% të punonjësve të sektorit fason. Nga ana tjetër, një pjesë e punonjësve nuk janë as në dijeni nëse iu paguhen kontributet ose 14% e punonjësve në sektorin e ndërtimit dhe 11% në sektorin fason.
Problematika të tjera janë puna me orare të zgjatura, ku kryeson ndërtimi, masat e dobëta të sigurisë në punë, ku sërish ndërtimi është më i prekur, shkelja e të drejtave të punës, ku bie në sy dhe mungesa e informimit të punonjësve për të drejtat e tyre, përhapja e fenomenit të marrjes në punë të fëmijëve nën moshën 18 vjeç, sidomos në ndërtim e fason, trajtimi i padrejtë i grave shtatzëna, ku 15% e të anketuarave në sektorin fason ankohen për mosmarrje të lejes së shtatzënisë, etj. /m.g/
Burimi: Monitor.al