Totozani raporton për të drejtat e minoriteteve në Shqipëri
Avokati i Popullit ka paraqitur një raport të veçantë për gjendjen e të drejtave të minoriteteve në shqipëri. Në raportin e tij Totozani ka paraqitur rekomandimet përkatëse për të drejtat e minoriteteve.
Rekomandimet e plota të Avokatit të Popullit:
– Përmirësimi i kuadrit ligjor për mbrojtjen e minoriteteve mbetet një nga çështjet kryesore, pasi vërehen mangësi. Në këtë kuadër është i nevojshëm miratimi i një ligji, ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e minoriteteve”, të ratifikuar me ligjin nr.8496 datë 3.06.1999.
– Është i nevojshëm fillimi dhe përfundimi i procesit për ratifikimin e Kartës Europiane për Gjuhët Rajonale, ose Minoritare.
– Përmirësimi i kuadrit ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi, me fokus disa përmirësime në nenin 1, të Ligjit nr.10221, datë 4.02.2010 “Për mbrojtjen kundër diskriminimit”, duke përfshirë në këtë nen si shkaqe për diskriminim; kombësinë; qëllimin e shpallur për të diskriminuar; nxitjen për diskriminim dhe ndihmesën dhe inkurajimin e diskriminimit.
– Marrja e masave adekuate dhe zgjerimi i mundësive për edukimin e minoriteteve, duke përfshirë mësimin e gjuhëve minoritare, promovimin e identitetit dhe zhvillimin e kulturës së minoritetit.
– Marrjen e masave konkrete ligjore dhe administrative për përmirësimin e aksesit në strehim, shërbimet e arsimit shërbimet sociale dhe pjesëmarrjen në jetën publike veçanërisht të minoritetit Rom, por edhe të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në vend. Integrimin real të minoriteteve dhe komuniteteve të tjera në jetën e përditëshme, veçanërisht në strukturat qeverisëse në nivel vendor, apo qëndror.
– Garantimin e të drejtave të minoriteteve, dhe marrjen e masave për respektimin e tyre në jetën e përditëshme dhe mbrojtjen e popullsisë vulnerabël.
– Zhvillimi i një dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm, si dhe bashkëpunimi ndërkulturor ndërmjet, institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe pjestarëve të minoriteteve, me qëllim që, adresimi i problematikave dhe procesi i analizimit dhe zgjidhjes së tyre të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe i gjithë pranuar.
– Realizimi i një procesi të regjistrimit të popullsisë (censusi), të pakontestuar dhe të gjithëpranuar edhe nga minoritetet dhe komunitetet e tjera, i cili do të jepte shifrat reale të popullsisë minoritare, apo edhe të komuniteteve të tjera.
– Krijimi i kushteve për rritjen e mirëqënies në zonat ku banojnë minoritetet dhe komunitetet e tjera, përfshirë këtu edhe financimin me një buxhet më adekuat për njësitë e qeverisjes vendore, ku ka komunitete minoritare dhe komunitete të tjera në një masë dalluese me pjesën tjetër të popullsisë mazhoritare.
– Rritja e rolit dhe veprimtarisë së të gjithë institucioneve shtetërore në kuadër të respektimit të të drejtave të minoriteteve, veçanërisht zgjerimi i aktivitetit të institucioneve të pavarura në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe mbështjetja e tyre në funksion të afirmimit, njohjes dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve.