Video/ Historia e Zeinab, një ditë nga jeta e 13-vjeçares së bllokuar në kampin e refugjatëve
Që prej muajit shkurt, familja Omar po jeton në një prej tendave të kampit të refugjatëve në fshatin grek Idomeni. Tenda e tyre është një prej atyre mijëra tendave që strehojnë azilkërkuesit nga Siria, Iraku dhe Afganistani, të bllokuar që kur Europa vendosi të mbyllë kufijtë për emigrantët nga lindja.
Familja Omar, si shumë familje siriane që po qëndrojnë në kamp, nuk është mësuar me kushtet e vështira. Përpara se qyteti i tyre Aleppo të kthehej në një fushëbetejë, ata zotëronin një apartament pranë qendrës së qytetit ku bënin një jetë të rehatshme. Ishte lufta civile në Siri, ajo që i detyroi ata dhe miliona të tjerë të largohen.
Vajza e rritur e kësaj familje, Zeniab Omar, kujton qartë kohën kur filloi lufta dhe zhurmën e shpërthimeve që sa vinte e shtohej. “Ne ishim në një dhomë ku mund të dëgjonim bombat,” thotë ajo. “Më pas u ngjitëm në çati për të marrë vesh çfarë po ndodhte, dhe pamë raketa që binin nga të gjitha anët.”
Vajza kujton ditën kur xhaxhai i saj erdhi për të paralajmëruar familjen se duhet të largoheshin, përndryshe forcat e presidentit sirian Bashar Asad do t’i vrisnin. Ajo që pason pas kësaj dite është një përzierje kujtimesh nga ditë të kaluara në shtëpi të pista e të pasigurta, udhëtime të neveritshme me autobusë, anije dhe taksi që i çuan ata në Liban, ndalesa e parë drejt Turqisë.
Video: Një ditë nga jeta e 13-vjeçares në kampin e refugjatëve
Kur ata arritën në Turqi, një trafikant mori shumicën e parave të familjes, duke premtuar se do t’i siguronte një biletë për në kufirin grek përmes një varke gome. Por ai thjesht mori paratë dhe u zhduk. Deri në muajin shkurt, babai i saj Zaed Omar, arriti të sigurojë paratë e mjaftueshme për të dërguar gruan dhe djalin e vogël në Greqi, duke premtuar se së shpejti do t’iu bashkohej dhe ai me dy vajzat e tjera.
Por situata nuk shkoi siç ata e kishin planifikuar. Mamaja dhe djali arritën në Holandë dhe aplikuan për azil brenda një jave. Ndërsa pjesa tjetër e familjes arriti në Greqi në fund të shkurtit, kur kufiri i Maqedonisë ishte mbyllur. Që nga ajo ditë, pjesa e mbetur e familjes jeton në Idomeni.
Gjëja që e shqetëson më shumë 13-vjeçaren Zeinab duket se janë përgjegjësitë. Pa mamanë e saj, vajzës i duhet të gatuajë e të pastrojë dhe të kujdeset për motrën dhe kushërinjtë e saj.
Nuk është e qartë nëse ata do të lejohen të udhëtojnë më tej drejt Evropës. Pas marrëveshjes së arritur më 18 Mars, mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë, emigrantët e bllokuar në Greqi duhet të qëndrojnë atje dhe të kërkojnë azil në shtetin grek. Një mundësi është që mamaja e Zeindab të aplikojë për bashkim të familjes nga Holanda, proces që mund të zgjasë me vite të tëra, nëse do të jetë i mundur ndonjëherë.
Historia e 13-vjeçares Zeinab nuk është unike, ajo është vetëm një nga mijëra fëmijët e bllokuar në Idmoeni, secili me të njëjtat kujtime të tmerrshme nga lufta dhe me ëndrrat se një ditë do të arrijë të fitojë azilin në një nga vendet e Evropës.
/l.k./
Burimi: Time.com