Historia Ime shpall fituesin e Konkursit “Fotografo për të drejtat e tua”

Historia Ime shpall fituesen e edicionit të tetë të Konkursit “Fotografo për të drejtat e tua”. Ivana Dervishi është fituese e konkursit që ka për qëllim të mbështesë aktivizmin përmes gazetarisë qytetare.
Shtrati i lumit të Tiranës në fshatrat periferikë të Tiranës, pranë aeroportit “Nënë Tereza” është mbushur me qese plastike dhe mbetje të tjera urbane, duke u përhapur në një shkallë aq të madhe sa ka filluar të ngjitet dhe mbi pemë.
Mungesa e prioritetit qeveritar për të drejtat mjedisore në Shqipëri prej disa dekadash i ka bërë ato të paarritshme për shtetasit shqiptarë, duke shkaktuar alarm te mjedisorët për vdekjet e lidhura me ndotjen.
Në fillim të vitit 2018, mbetjet e patrajtuara shqiptare tërhoqën vëmendje ndërkombëtare kur u shpëlanë në brigjet e Kroacisë, pas grumbullimit nga lumenjtë dhe derdhjes në Adriatik. Si një shtet kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, Shqipëria ka marrë disa paralajmërime nga Këshilli i Europës për të gjetur një menaxhim të qëndrueshëm dhe eko-miqësor për mbetjet.
Vitet e fundit kanë parë gjithashtu një rritje të protestave të aktivistëve dhe mjedisorëve për mbrojtje të shtuar të natyrës.
Kriteri kryesor për përzgjedhjen e fituesit është përcjellja e një mesazhi apo denoncimi i një problemi social përmes fotografisë. Ndër kriteret e tjera të vlerësimit janë cilësia dhe origjinaliteti i fotografisë, kompozimi dhe përputhja me çështjet prioritare të thirrjes.