Në Shqipëri, siç e kemi thënë edhe më parë, nuk ka ligj të thotë se prindërit duhen regjistruar në dokumente si “Prindi 1 dhe Prindi 2”. Nuk ka pasur kurrë. Nuk është kërkuar nga ne, nuk është shkruar, nuk është depozituar, nuk është diskutuar dhe, për pasojë, edhe nuk është votuar. Por mesa duket, ekziston një procedurë tjetër ligjore shumë më efikase: retushimi.
Moderatori Ledion Liço në një moment i drejtohet Monika Kryemadhit, “Jetojmë në vitin 2026. Ligji Prindi 1 dhe Prindi 2 u miratua, apo jo? Pikërisht për këtë arsye nuk duhet të ketë bullizim.” Zonja Monika Kryemadhi, deri para pak kohësh një politikane e zëshme kundër komunitetit LGBT, pohoi se “Eh, me pak retushim!” Për ata që nuk merren me grafik dizajn: retushim do të thotë të rregullosh një foto, t’i heqësh rrudhat, t’i drejtosh hundën, t’i zbardhësh dhëmbët dhe në fund, të thuash “kjo jam unë në versionin e përmirësuar”. Nuk është term juridik. Nuk përdoret në Kuvend e as në Fletoren Zyrtare. Ekziston vetëm në Photoshop.
Pra, sipas kësaj logjike të zonjës Kryemadhi, ky ligj në Shqipëri ka kaluar, por me ndryshime kamufluese, gjë që nuk është e vërtetë.
Në një moment që teorikisht synonte të fliste kundër bullizimit, pasi një banor po sulmohej për shkak të seksualitetit apo identitetit gjinor, praktikisht, ndodhi e kundërta. Nga “mos bullizoni” kaluam te “kujdes, ju kanë ndryshuar ligjet”. Një masterclass se si të ndezësh panik brenda 30 sekondash duke u hequr si mendjehapur.
Ironia bëhet edhe më e padurueshme kur këtë e thotë dikush që prej vitesh ka qenë hapur kundër martesave mes personave të së njëjtës gjini dhe ka paralajmëruar për “imponimin e vlerave LGBT”. Sot, i njëjti mesazh vjen më i shkujdesur, më televiziv dhe, si çdo gjë e retushuar mirë, duket “e përmirësuar”, por fsheh të njëjtën frikë.
Big Brother Vip Albania nuk është parlament, por ka më shumë ndikim se parlamenti. Dhe kur një gënjeshtër thuhet aty, ajo nuk mbetet opinion, bëhet “e vërtetë”. Nesër diku do dëgjojmë “ej, e dëgjove që ligji Prindi 1 e 2 ka kaluar” apo “agjenda e tyre po na imponohet edhe neve”, pa e ditur askush se si, por edhe pa iu interesuar.
Por kulmi i absurditetit është se i gjithë ky moment ndodhi në emër të luftës kundër bullizimit. Në fakt, u përdor një ligj imagjinar për të justifikuar dyshimin, frikën dhe urrejtjen ndaj komunitetit LGBT. Një strategji e vjetër: të mbrojmë viktimën duke i kujtuar publikut se duhet të ketë kujdes prej saj.
Në Shqipëri nuk po kalojnë ligje “Prindi 1 dhe Prindi 2”, por po kalon ideja që mjafton një gënjeshtër e thënë në prime time dhe ajo bëhet e vërtetë.
Historia Ime i kërkon zonjës Monika Kryemadhi, të na tregojë se si dhe kur qenka miratuar ligji “Prindi 1 dhe Prindi 2” dhe të na tregojë edhe retushimet të cilave i është nënshtruar ky ligj. Nëse nuk është e mundur që ti vërtetohet publikut që kjo ka ndodhur, atëherë kërkojmë që zonja Kryemadhi, në statusin e opinionistes së Big Brother Vip Albania 5, të sqarojë që gjithçka ka thënë në lidhje me këtë çështje, nuk është e vërtetë./E.M.
