Duke iu referuar Raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për muajin e kaluar, Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon zbatim të vendimeve gjyqsore për personat me masë mjekësore.
Sipas raportit, nga 5769 persona që mbahen në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, 2622 janë të dënuar me burgim, 2979 të paraburgosur dhe 168 shtetas me mjekim të detyruar. Duke e çuar numrin në 314 persona mbi kapacitetin e lejuar.
KShH thotë se trajtimi i personave me mjekim të detyruar në ambjentet e burgjeve dhe jo në një institucion mjekësor siç e parashikon legjislacioni ynë dhe ai ndërkombëtar, përbën shkelje të të drejtave të njeriut. “Shkelje të tilla janë me pasoja për shëndetin dhe jetën e njeriut, madje duhet përmendur se ato, në këtë apo atë rast, mund të cilësohen edhe trajtim çnjerëzor dhe degradues që përfshihen në elementin e torturës. Si rrjedhim, shkelje të tilla janë penalisht të ndëshkueshme”, thuhet në deklaratën për shtyp të KShH.
KShH vlerëson se në reduktimin e mbipopullimit të burgjeve, mund të ndikojnë pozitivisht zbatimi i drejtë dhe në përputhje me legjislacionin i kritereve të masave të sigurimit me burgim si dhe aplikimi i dënimeve alternative për të miturit, të moshuarit, të sëmurët apo ata që kryejnë vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore. /m.g