A ekziston mbrojtja kur nuk ka të dhëna?
Nesër, ERA LGBTI me mbështetje nga ELC* dhe BE publikon analizën e parë rajonale të fokusuar tërësisht mbi gratë LBQ dhe dhunën me bazë gjinore në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Por çfarë boshllëku synon të mbyllë ky raport?
Gratë lezbike, biseksuale dhe kuir kanë munguar sistematikisht nga hulumtimet, nga politikat dhe nga narrativa publike jo vetëm në Shqipëri, por globalisht dhe kjo nuk është rastësi.
Kriza e HIV/AIDS-it në vitet 1980 e drejtoi financimin e kërkimeve shëndetësore drejt burrave gej dhe biseksualë, që ishte grupi kryesor i prekur në atë moment. Pasoja strukturore e asaj periudhe ka ndikuar të gjithë literaturën deri më sot. Një rishikim i studimeve shëndetësore publike të botuara midis viteve 1980 dhe 1999 zbuloi se 80% e artikujve mbi popullsitë LGBT u fokusuan te burrat gej dhe biseksualë. Studimet e financuara nga NIH (1989–2011) janë edhe më të qarta: 86% e tyre studionin burrat e minoriteteve seksuale, ndërsa vetëm 13.5% studionin gratë.
| Burime: Boehmer, U. (2002). Twenty Years of Public Health Research: Inclusion of LGBT Populations. AJPH; Coulter, R. et al. (2014). Research Funded by NIH on the Health of LGBT Populations. AJPH. |
Ky hendek në kërkime ka pasoja direkte në politika, sepse kur të dhënat nuk ekzistojnë, mbrojtja ligjore mbetet e përgjithshme dhe atëherë ajo nuk arrin deri te ata që kanë nevojë specifike për të. Dhe gratë LBQ janë pikërisht ato që bien në atë hendek.
Gratë LBQ gjithashtu ndodhen në kryqëzimin e dy formave të dhunës: të homofobisë dhe të seksizmit. Rreziqet që ato përjetojnë nga praktikat korrigjuese (konvertuese) dhe izolimi familjar e deri tek shërbimet shëndetësore, janë specifike dhe kërkojnë përgjigje specifike. Por për t’i adresuar, duhen fillimisht të dokumentohen.
Shumica e hulumtimeve mbi dhunën me bazë gjinore në Shqipëri kanë qenë të përgjithshme, ose kur fokusoheshin te komuniteti LGBT, e kanë trajtuar komunitetin si tërësi, duke fshehur dinamikat specifike me të cilat gratë përballeshin. Ky raport synon të korrigjojë pikërisht atë boshllëk.
Ky moment ka rëndësi të madhe, sepse Shqipëria ndodhet në një moment të veçantë. Procesi i anëtarësimit në BE ka shtuar presionin institucional për reforma, dhe kuadri ligjor ka bërë hapa reale. Orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë baza të mbrojtura nga Kushtetuta dhe Konventa e Stambollit është ratifikuar që në vitin 2013. Por ratifikimi i një konvente nuk nënkupton detyrimisht zbatim. Dhe pikërisht kjo hapësirë mes ligjit në letër dhe mbrojtjes reale, është ajo që ky raport mat dhe dokumenton.
Prej vitesh, Historia Ime ka punuar për ta bërë komunitetin LGBT të dukshëm me histori, me analiza e me zëra. Shpesh kemi punuar pa të dhëna zyrtare, sepse të dhënat nuk ekzistonin.
Ky raport fillon ta mbyllë atë boshllëk. Kur të dalë dokumenti i plotë nesër, do ta lexojmë, analizojmë dhe ndajmë çdo gjetje të rëndësishme. Deri atëherë, mjafton të dimë që gratë LBQ nuk janë më të harruara.
Nesër, Historia Ime sjell analizën dhe raportin e plotë./E.M.







