Apo është “e natyrshme” vetëm për ty?

Ti e di si është Amber kur të gjykojnë. Kur të thonë “jo kështu” e “jo ashtu”. Ke jetuar për vite të tëra nën vështrimet e rënda të njerëzve paragjykues. Ke luftuar fort për t’u pranuar. Ke folur, ke guxuar dhe ke hapur një derë. Jo vetëm për vete, por edhe për shumë të tjerë.
Prandaj të them të drejtën e kam shumë të vështirë ta dëgjoj nga ti sot, teksa thua që fëmijët duhen rritur vetëm nga një nënë dhe një baba. Që vetëm kjo është “e natyrshme”.
Sepse e di çfarë bëjnë fjalët e tua Amber? Mbyllin derën që dikur ke kërkuar të hapej me aq ngulm. Dhe për shumë njerëz të tjerë që duan të krijojnë një familje me dashuri, bëhen frikësuese e dëmtuese, si një mur i pakapërcyeshëm që ngrihet papritur para tyre.
Nuk ka vetëm një mënyrë për të qenë familje. Jo çdo fëmijë rritet me një nënë dhe një baba. Disa rriten nga dy nëna, disa nga dy baballarë, disa nga një prind i vetëm e disa nga gjyshërit. A janë këta fëmijë më pak të dashur? A janë ata më pak të sigurt?
A matet dot dashuria me formulë?
Ti Amber, më mirë se kushdo, e di çfarë ndjen kur të thonë që nuk je “natyrale”. Kur ta mohojnë të drejtën për të jetuar si vetvetja. Pse pra, tani përdor të njëjtat fjalë që dikur të lënduan?
Kur flet ti, njerëzit tashmë dëgjojnë. Dhe kur thua se vetëm një lloj familjeje është e vlefshme, ata që jetojnë ndryshe nga “normalja”, ndihen të vegjël, të gabuar dhe fëmijët e tyre ndihen si të lindur në vendin e gabuar.
Unë personalisht të kuptoj. Ti ke pasur një rrugëtim të vështirë. Por pikërisht për këtë arsye, ti ke një përgjegjësi. TË MOS BËHESH ZËRI QË DIKUR U MUNDUA TË TË HESHTË TY. Të mos mbyllësh rrugën që dikur të është hapur me shumë mund.
Sepse nuk ka asgjë më të natyrshme sesa dashuria.
Dhe nuk ka asgjë më të shëmtuar sesa kur ajo paragjykohet./A.A.
Në këtë link mund të gjeni intervistën që na shtyu të shkruajmë këtë artikull: