Toma

U rrita në një fshat malor ku lulet dhe aroma e tyre ishin në gjendje të të dehnin dhe dëbora mund të të bënte të ëndërroje me sytë hapur. Isha djali i tretë i familjes, i vogli. Tri motrat i kisha martuar që në moshë shumë të re. Vëllai i madh ishte gjithashtu i martuar. Veç unë dhe Toma (vëllai im i dytë) ishim të pamartuar. Baba e kishte merak shumë Tomën. Nuk kishte natë kur mblidheshim në kullë mos ta hapte bisedën e martesës. E Toma zbehej, tkurrej e nuk e hapte më gojën. Baba në fillim fliste ngadalë, me zë të qetë e të butë. Kur ndeshte heshtjen e të birit e ngrinte zërin dhe biseda kthehej në sherr. Unë si më i vogli s’guxoja me ndërhy, por vëllai i madh fliste fill pas babës. Ai bërtiste njësoj si baba. Nana e nusja e vëllait me kokat ulur rrinin në heshtje. Unë hidhja tinëz sytë nga Toma dhe kërkoja të zbuloja diçka në heshtjen e tij. Por ai si ta ndjente se e vëzhgoja nuk m’i jepte sytë.
Kështu kalonin ditët e martesa e Tomës nuk zgjidhej. Erdh’ pranvera. Një mëngjes iu vura pas Tomës dhe të dy krah më krah morën udhën nga lëndina. Të kënaqeshin sytë me atë bukuri e qetësi. Ecnim ngadalë duke thithur ajrin e pastër. Pas një copë rruge Toma u ul mbi bar. Pas tij dhe unë. Nxori nga xhepi kutinë e duhanit dhe pa m’i hedhur sytë nisi të dridhte një cigare. E ndiqja me sy çdo lëvizje të tij. Heshtja po më cyste nervat dhe nuk durova pa folur:
– Tomë, pse nuk martohesh?
Toma heshtte. Ndezi cigaren dhe me sytë nga qielli lëshoi një psherëtimë. Ngulmova.
– Pse Tomë? Tregomë. Vëllait tënd mund ti thuash çdo gjë.
– Se s’mundem. Jo se nuk dua, por nuk mundem.
I mbetur shtang, iu avita dhe më pranë e nisa ta hetoja.
– E pse jo? – e nguca sërish.
Befas, Toma mbuloi fytyrën me duar dhe nisi të qante. E qara e tij ngjasonte me një dem të plagosur që rënkon, i pamundur për t’u ngritur. Iu afrova dhe me një dorë i rraha shpatullën por Toma duket nuk më ndjeu. Atëherë ia lëmova flokët e verdhë dhe mbështeta ballin mbi supin e tij. Kur vrulli ra dhe ai u qetësua guxova sërish:
– Pse nuk mundesh vëlla, më trego.
Buzët e tij u hapën ngadalë dhe shqiptoi:
– Nuk di si të ta shpjegoj. Unë nuk … Mua nuk më pëlqen asnjë vajzë. Nuk e di a më kupton…
– As Mara? – thirra gati me ulërimë.
Mara ishte një hyjneshë e zbritur në tokë. Unë nuk arrija të kuptoja se si tim vëllai apo çdo djali tjetër në fshat të mos i pëlqente Mara.
– As Mara. – m’u përgjigj Toma. – Mara është perri, por unë nuk mund ta pëlqej atë.
I habitur nga kjo gjë ngrita supet pa ditur ç’të thoja. Unë për vete mbaroja pas Marës. Toma duket ishte çliruar disi dhe vijoi të fliste.
– Unë nuk di si ta them. Unë pëlqej djemtë dhe jo vajzat. Mua më pëlqen Drini. Unë e dashuroj Drinin. Nëse do mund të zgjidhja unë se me kë të martohesha do të zgjidhja vetëm Drinin. Më kupton? Prandaj dhe nuk dua të martohem. Por nuk ia them dot babës këtë se ti e di që ai më vret.
Pasi tha këto vëllai uli kokën dhe nisi të qante sërish. Unë kisha mbetur pa gojë dhe vetëm e shihja. Nuk mund të kuptoja se si im vëlla donte Drinin. E përqafova dhe tek rrinim të dy pranë më kërkoi të mos i tregoja asnjeriu për ato që më tha. U betova. Në shtëpi arritëm të uritur e të lodhur shpirtërisht. Në darkë u shtruam të gjithë veç babës. Ai ende nuk kishte ardhur. Hapat e tij i ndjemë pak më vonë. Ishte i gëzuar dhe ende pa u ulur shpalli fejesën e Tomës me një vajzë nga fshati matanë. Tomën e mbuluan djersët. U zverdh dhe duke u lëkundur doli nga dhoma. I vajta pas. Baba pa e vrarë mendjen u ul dhe kërkoi raki e meze. Kishte festë.
Në të gdhirë, nana erdhi në dhomën tonë dhe plot dhembshuri na fërkoi kryet. Toma dukej si një i vdekur. Lotët e nanës rrodhën ngadalë dhe fjalët e saj për Tomën ende më vijnë në veshë: “E mjera unë për ty o bir!”.
U bëra dëshmitar i fejesës e pak më vonë martesës së vëllait tim. Isha dëshmitar i vuajtjes e dëshpërimit të tij dhe pamundësisë sime për të bërë diçka, siç isha dhe dëshmitar i gëzimit të babës e dhembjes së nanës. Atëherë e kuptova që nana, nana e dinte për Tomën dhe i qante zemra që e humbi atë djalë. Sepse Toma tashmë ishte i humbur, një i vdekur që merrte frymë. Jetova nën një çati me të dhe kurrë më se pashë ti qeshte buza. Veç netëve, kur hëna dilte e plotë, Toma afrohej në dritare dhe humbiste në ëndërrime. Ndoshta në qetësinë e natës bëhej një me Drinin, dashurinë e tij të vetme.