Hipokrizia e 8 Marsit
Ajo ishte 16 vjeç kur ndodhi. Ndodhi në rrugën midis shkollës dhe shtëpisë. Një koment, një prekje, një palë sy që e ndoqën shumë gjatë. Kur u kthye në shtëpi, nuk i tha askujt. Jo sepse nuk kishte kujt t’i tregonte, por kishte frikë se mentaliteti do ta bënte fajtore përveçse viktimë dhe fjalët do të ishin po aq të dhimbshme sa edhe vetë abuzimi.
“Me siguri e ke provokuar vetë.” “Pse dole vetëm?”. “Mos u bëj kaq dramatike.”
Të themi të drejtën kjo nuk është një histori e veçantë. Është historia e mijëra vajzave shqiptare dhe jo vetëm. Historia e heshtjes që përdoret si mjet mbijetese. Historia e sistemit që i mëson viktimat të mbajnë barrën e abuzuesit.
Kur flasim për dhunën ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri, shpesh dëgjojmë: “Po, por gjërat kanë ndryshuar.” Kanë ndryshuar në letra e dokumente, por shifrat tregojnë një tjetër realitet.
| 1 në 5 gra në Shqipëri, ka përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri të paktën një herë gjatë jetës. Ekspertët theksojnë se shifrat reale janë edhe më të larta. Burimi: OBSH, Nëntor 2025 |
Ndërkohë, në nivel global, afro 840 milionë gra, pothuajse 1 në 3, kanë përjetuar dhunë nga partneri intim ose dhunë seksuale nga dikush tjetër gjatë jetës. Brenda një viti të vetëm, mbi 300 milionë gra janë përballur me dhunë fizike ose seksuale.
| +30% rritje e krimeve seksuale të proceduara në Shqipëri gjatë vitit 2024, 161 raste, nga 124 që ishin në 2023. 64 persona u dënuan me burg. Burimi: Prokuroria e Përgjithshme, Prill 2025 |
Peshën më të madhe në kategorinë e krimeve seksuale e zë ngacmimi seksual. 94% e të pandehurve janë meshkuj madhorë. Rastet më të shumta janë regjistruar në Tiranë, Korçë dhe Vlorë.
| “U ndjeva e paragjykuar. Në Shqipëri fajin gjithmonë e kanë viktimat. Nuk kam mbrojtje.” Dëshmi e mbledhur nga Zëri i Amerikës, viktimë e mitur. |
Nga dhuna online, vajzat janë të parat që preken
Interneti dihet që nuk është zonë e sigurt, dhe statistikat e fundit e tregojnë këtë. Dhuna digjitale kundër vajzave është në rritje të vazhdueshme.
| 71% e raportimeve për dhunë online në Shqipëri vijnë nga vajzat. 615 raste totale u raportuan në 2025, një rritje me 46% e krahasuar me vitin paraardhës. Burimi: Citizens.al / Platforma iSIGURT.al, Shkurt 2026 |
Rastet përfshijnë kërcënime dhe shantazhe përmes rrjeteve sociale, krijim të llogarive false me fotografi të viktimës, gjuhë urrejtjeje, cënim të jetës private.
Mosha më e prekur janë vajza minorene, 15–17 vjeçe.
| 67% e viktimave të krimeve seksuale në Shqipëri janë të mitur nën moshën 14 vjeç. Në 81% të rasteve, viktimat janë vajza dhe gra. Burimi: Statistika Zyrtare Shqipëri / Shqiptarja.com |
Shqipëria ende nuk ka një vepër penale specifike për dhunën digjitale. Ligji ka ngecur, ndërsa teknologjia dhe abuzuesit përfitojnë.
Por patriarkati nuk është vetëm dhunë fizike. Është edukimi i përditshëm, i vogël, i padukshëm që fillon herët në moshë.
Djemtë mësohen të mos qajnë. Vajzat mësohen të mos ankohen dhe të shërbejnë. Djemtë mësohen se forcë do të thotë kontroll e pushtet. Vajzat mësohen se mirësjellje do të thotë heshtje dhe të mos kthesh fjalën.
Kjo edukatë ndikon edhe si reagojnë të afërmit kur viktimat vendosin të flasin. Se si ata vënë në dyshim historinë e tyre me shprehjet “e sigurtë që edhe ti bëre diçka”, dhe duke u thënë të heshtin “për të mirën e familjes”.
Dhe kjo vlen edhe brenda komunitetit LBT. Gratë lezbike, biseksuale dhe transgjinore shpesh hezitojnë dyfish, dhe kjo për shkak të mospërmirësimit të sistemit ndaj tyre si gra, dhe nga frika e ekspozimit të orientimit seksual. Heshtja bëhet mjet i dyfishtë mbrojtjeje.
| 81% e grave LBT në Ballkan raportojnë se nuk e kanë denoncuar kurrë dhunën e përjetuar, kryesisht nga frika e ekspozimit të orientimit seksual. Burimi: ILGA-Europe, Raport Rajonal 2023 |
Tani pyetja që duhet bërë është, a ka shpresë?
| Rastet e raportuara po rriten, dhe ky nuk është gjithmonë lajm i keq. Kur sistemi fillon të funksionojë pak, gratë fillojnë të flasin. Rritja e raportimeve tregon edhe rritje të besimit dhe ndërgjegjësimit. |
Ligjet po ndryshojnë, ku projektligji i ri shqiptar parashikon pranim të ankesave anonime, veçanërisht për ngacmimet seksuale në vendin e punës dhe për komunitetin LBT, ku frika nga ekspozimi është pengesë kryesore.
Numri i punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve në njësitë vendore është rritur nga 60 në rreth 240 gjatë pesë viteve të fundit. Sigurisht që nuk mjafton, por ama është rritje reale.
Të rinjtë po e quajnë “bullizëm” atë që brezi i mëparshëm e quante “shaka”.
Luftoni sot patriarkatin duke edukuar, duke folur, duke refuzuar normalitetin e dhunës për një të nesërme më të mirë e të sigurtë për vajzat e gratë.
Një ditë me lule nuk e fsheh një vit me pabarazi dhe padrejtësi./ E.M.
| Burimet: OBSH (Nëntor 2025) • Prokuroria e Përgjithshme (2024) • Citizens.al/iSIGURT.al (Shkurt 2026) • ILGA-Europe (2023) • INSTAT (2022) • Zëri i Amerikës • Shqiptarja.com |







