Kur barazia përjashtohet nga vetë ata që duhet ta mbrojnë
Mazhoranca në Kuvend ka vendosur që ligji për barazinë gjinore qenka “shumë modern” për shijet e saj. Prandaj, ajo po i heq disa fjalë që e bëjnë këtë ligj shumë gjithëpërfshirës, si “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, “orientim seksual” dhe “përkatësi e shumëfishtë”. Në vend të tyre, propozojnë një kthim te formulat e sigurta dhe të njohura siç është burrë dhe grua. Sipas Taulant Ballës, që e ka firmosur relacionin dhe ka sugjeruar amendamentet, kjo do ta bëjë ligjin “më të qartë”, “më në përputhje me Kushtetutën” dhe, siç e shton ai me shumë bindje, “më afër Bashkimit Evropian”. Ironia është se asnjë nga këto “argumente” nuk qëndron!
Në BE, koncepti i barazisë gjinore nuk është më prej kohësh aq binar sa në imagjinatën e zyrtarëve tanë. Vetë gjykatat evropiane kanë pranuar që identiteti gjinor dhe orientimi seksual janë pjesë e të njëjtës fushë të mbrojtjes nga diskriminimi. Por në Shqipëri, mesa duket, disa mendojnë se “acquis communautaire” është si Bibla, mund ta interpretojmë si të na vijë për mbarë. Për ata që nuk e dinë se çfarë është “acquis communautaire”, me fjalë më të thjeshta shpjegohet si e gjithë baza ligjore dhe parimet mbi të cilat funksionon Bashkimi Evropian, dhe çdo vend që do të bëhet pjesë e tij duhet t’i përshtasë ligjet kombëtare me këtë kornizë. Dhe për rastësi të bukur, vetëm një ditë para se këto amendamente të bëheshin publike, Balla takoi krerët e besimeve fetare. Jo për të diskutuar ligjin për kultet e as për çështje humanitare, por për ligjin për barazinë gjinore. Ja ku e kuptojmë që feja, në Shqipëri, nuk është ndarë nga shteti, atëherë kur i duhet shtetit.
Sipas mazhorancës, heqja e termave nuk cënon askënd. Pra, ne po i fshijmë, por mos u shqetësoni, se mbrojtja mbetet! Është si të thuash: “S’do të përmendim më, por të duam njësoj.” Kjo logjikë do të ishte qesharake, po të mos ishte kaq serioze. Sepse kur ligji nuk të përmend, ai nuk të mbron. Dhe kur një politikan thotë se “këto gjëra nuk përputhen me realitetin shqiptar”, ai thjesht po pranon që nuk do t’i shohë njerëzit që nuk i përshtaten “qejfit” të tij.
Në fakt, kjo nuk është betejë për fjalë, por për ekzistencë. Sepse njerëzit që preken nga këto fjalë nuk janë fantazma të agjendave të huaja, por qytetarë që jetojnë këtu, punojnë, paguajnë taksa dhe duan të mos trajtohen si gabim në ligj por të jenë të barabartë para tij.
Shqipëria po shkel standardet që vetë i ka vendosur, pasi që prej vitit 2010, ligji për mbrojtjen nga diskriminimi ka njohur shprehimisht identitetin gjinor dhe orientimin seksual si baza të ndaluara diskriminimi. Ti heqësh tani nga një ligj tjetër i rëndësishëm, do të thotë të bësh hapa pas në rrugën drejt integrimit evropian dhe të drejtave të njeriut.
Një shtet që vërtet aspiron të jetë evropian nuk e ngushton mbrojtjen e qytetarëve të vet, por e zgjeron atë.
Kristi Pinderi e tha bukur në statusin e tij: “Ky ‘lajm’ është i qartë në qëllimin për të amplifikuar një fake news dhe për të nënvizuar një koncept që nuk ekziston.” Dhe ndoshta ja vlen ta mbyllim me këtë: në Shqipëri, kur feja dhe politika bëjnë aleancë për të fshirë disa fjalë apo disa qytetarë nga ligji, duhet që edhe Kushtetuta të kërkojë azil tjetërkund./A.A.







