Kur homofobia shitet si gazetari investiguese

Ah, “Prapaskena, Prapaskena”.
Gazeta nuk ndërtohet me “bq”, me fjalë rrugeçërish dhe me statuse anonime gjasme të zemëruara. Ndërtohet me emër, gjoks përpara, dhe mbi të gjitha FAKTE.
Ti gazetar i panjohur i “Prapaskena” nuk besoj se e di mirë se çfarë do të thotë të kërkosh respekt, të jesh medie e lirë e të thuash “po luftoj korrupsionin.” Por gjithsesi është e trishtë të shohësh si e baltos një nga profesionet më të bukura dhe të rëndësishme me një artikull ku i thërret kolegëve “sharlatanë”, “bq”, “maskarenj me hall ekonomik” pa asnjë provë, pa asnjë burim dhe pa fytyrë.
E di çfarë bëjnë këto fjalë? Nuk luftojnë sistemin, por janë goditje nën brez ndaj gazetarëve që guxojnë të dalin në rrugë dhe të mbrojnë dinjitetin e tyre.
Sepse kur ju e quani “bq” presidentin e Asociacionit të Gazetarëve, Isën, të cilin e njoh personalisht dhe e adhuroj për njeriun dhe profesionistin që është bërë, ti nuk po i kritikon punën, por po mundohesh ta denigrosh si njeri, theksoj këtu fjalën mundohesh. Dhe ky nuk quhet investigim, quhet rrugaçëri. Quhet diskriminim, aq sa edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi po shqyrton nisjen e një hetimi ex officio, duke deklaruar qartë:
“Aktet që synojnë intimidimin dhe denigrimin e personalitetit të gazetarëve janë të papranueshme… përdorimi i stereotipeve që cenojnë pakicat shoqërore është i dënueshëm me ligj.”
Fjalë të forta dhe me firmë.
Ti ku je? Pse nuk e firmos artikullin tënd? Apo “guximi mediatik” paska kufi, del vetëm kur fyen nëpër rreshta dhe fshihesh pas logos?
E di çfarë bën gazetari i mirë?
Pyet: Pse po zaptohen prona publike?
Kërkon: Kontratën, dokumentet, lejet, tenderët.
Flet me emër, mbiemër dhe përgjegjësi.
E di çfarë bën ti?
Barazon sharjen me investigim.
Kujton se homofobia është e barabartë me kurajon.
Ndihmon pushtetin të zhvendosë vëmendjen nga skandali real tek “thashetheme për vila dhe hotele”.
Por jo. Nuk shitet kjo si gazetari. Sado clickbait t’i bësh titujt, sado fjalë rrugësh të përdorësh, nuk do fshehësh dot që: ke zero argumente, ke zero prova dhe mbi të gjitha, ke zero respekt për profesionin që pretendon se mbron.
Prandaj, ndryshe nga ty, po ta them me emër e me zë
Gazetaria është armë e së vërtetës, jo e hostilitetit, jo e turpit dhe së fundmi jo e gjuhës së urrejtjes.
Nëse vërtet do të luftosh korrupsionin — godit pushtetin, jo gazetarët. Shkruaj me dinjitet e jo me mllef. Nxirr dokumente e mos përdor fjalët si “bq”.
Sepse në fund, kur të mbyllet kjo lojë e fjalëve të pista, do kujtohet vetëm një gjë:
Fakti që ti je askushi në letër, por ç’është më e keqja që je askushi edhe si njeri!/Alba Ahmetaj