A janë fëmijët e prindërve gej në rrezik?
Debat – Rasti i Irlandës i ka ndërsyer studiuesit kundër njëri-tjetrin për të provuar nëse prindërit e të njëjtit seks ndikojnë për keq te rritja e fëmijëve. Shkenca ka treguar deri më tani se nuk ekziston një dallim mes fëmijëve të prindërve gej apo heteroseksualë.
Unë isha dymbëdhjetë vjeç kur zbulova se ekzistonte në botë një gjë e tillë si një fëmijë i padëshiruar. “Epo, çfarë jete të privilegjuar ke jetuar”, mund të përgjigjet dikush. Mund të keni të drejtë. Atëherë më erdhi si tronditje. Ende edhe sot fëmijët e padëshiruar më shqetësojnë.
Ne në Irlandë do të mbajmë një referendum më 22 maj për të ligjëruar martesat gej. Shumica e miqve dhe kolegëve që unë njoh nuk shohin arsye përse kjo të mos ndodhë dhe do të votojnë pro. Megjithatë, jo të gjithë janë dakord, dhe nëpër qytete kanë filluar të ngjiten postera ku reklamohet “Fëmijët meritojnë një nënë dhe një baba” dhe ku paralajmërohet se fëmijët me prindër gej do ta vuajnë zëvendësimin.
Në këtë moment, debati hyn në një pikë psikologjike. Thirrja “përse nuk mendoni për fëmijët?” është përdorur prej kohësh për të ngjallur veprim. Gjithsesi, historia njerëzore e të qenët prind ka kaluar në shumë etapa të dhembshme dhe të ndërlikuara. Aktivistët kundër, mund të thonë se prindërit gej janë unikë për njerëzimin, por ka edhe specie të tjera ku gjendet homoseksualiteti.
Studim pas studimi (59 në total) për 30 vitet e fundit ka rezultuar një fakt i patjetërsueshëm: pavarësisht nëse i masim emocionalisht, nga arsimi apo nga pikëpamje të tjera, shkencëtarët nuk kanë gjetur dallime mes fëmijëve të rritur nga prindër gej dhe nga prindër heteroseksualë.
Pavarësisht nëse flasim për studime me pak pjesëmarrës apo studime të mëdha me të dhëna krahasuese, rezultatet janë të njëjta. Fëmijët e prindërve gej dhe lesbike ia dalin për mrekulli. E gjithë kjo u sfidua nga studimi i Mark Regenerus i vitit 2012, që pohonte të kundërtën.
Kritikat e mira për studimin në fjalë rezultojnë në fakt të jenë të gabuara, sepse u përgjigjen pyetjeve që nuk u takojnë.
Përgjigjet nuk mund të jepen aq lehtë dhe ne të gjithë kemi hipotezat tona për adresimin e një problemi. Kur studiuesit provojnë shumë herë të thyejnë tezat ekzistuese dhe dështojnë, kjo i çon më pas t’i pranojnë ato. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se tezat janë të vërteta.
Shkenca është dhe mbetet metoda më e mirë për zbulimin e sekreteve të natyrës. Studiues të tjerë në vitin 2015 kanë analizuar zbulimet e Regenerus me detaje dhe palët e interesuara mund ta ndjekin nga afër se çfarë zbulimesh po bëhen së fundmi.
Ideja themelore nuk është poshtërimi i një studiuesi apo nguti për të ndryshuar politikën. Shkenca ecën ngadalë dhe momentet ku mund të thirret ‘eureka’, janë të pakta.
Një rianalizim i të dhënave të studimit kundërthënës përjashtoi pjesëmarrës të dyshimtë si një që thoshte se kishte gjatësi 233 centimetra dhe peshë 40 kilogramë dhe një tjetër që deklaronte se ishte arrestuar në moshën njëvjeçare.
Të tjera raste të ngatërrueshme ose falsifikuese ishin të dukshme dhe u llogaritën se përbënin 82 pjesëmarrës. Këto raste shkeljeje ishin rreth një e treta ose 34.7 për qind e 236 personave që morën pjesë në studim dhe që u kategorizuan nga kërkuesi si “nëna lesbike” ose “baballarë gej”.
Çdokush që merret me shkencën e sjelljes, e di rëndësinë e pastrimit të të dhënave. Rregulli standard e do që kur një e treta e rastit kërkimor del të jetë një rrëmujë e madhe, atëherë studimi rezulton në katastrofë. Vazhdimi i studimit me të dhëna të tilla dhe përpjekja për t’i analizuar ato, tregon se rezultatet nuk janë më të besueshme.
Dhe çfarë ndodh kur nga studimi që nxjerr me probleme fëmijët e gejve, largohen të dhënat e dyshimta dhe të pasakta? Rezultatet dalin si të studimeve të mëparshme. Fëmijët e personave me seks të njëjtë, nuk kanë dallim nga ata të personave me seks të kundërt.
Çfarë gjërash i dëmtojnë fëmijët? Mosmarrëveshjet martesore, talljet dhe refuzimi prindëror i një fëmije gej. Askund nuk është zbuluar se seksualiteti i prindërve parashikon rezultate të këqija në sjelljen e fëmijëve.
Por këto nuk duhet të vijnë si befasi. Pavarësisht nëse një fëmijë i një prindi gej është i lidhur ose jo me ata që quan “baballarë” ose “nëna”, një gjë është ajo që ka rëndësinë më të madhe: që një fëmijë të jetë i dëshiruar. Vetëm kjo ka rëndësi.
Marrë nga: gazeta-shqip.com