LGBT: Maxhoranca nuk është në Drejtimin e Duhur!
Parlamenti Europian i mbledhur dje në një seancë plenare miratoi me shumicë votash për herë të parë një rezolutë ku njeh të drejtat familjare të çifteve gej dhe ku kërkon që të gjitha vendet e BE dhe ato kandidate të kenë një udhërrëfyes për LGBT ku të përfshihet edhe njohja gjinore.
“Parlamenti mban shënim mbi evolucionin e përcaktimit të familjes dhe rekomandon që rregullat në këtë fushë të marrin në konsideratë fenomene si prindërimi i vetëm apo çiftet gej”, thuhet në këtë rezolutë të hartuar mbi raportin e europarlamentares Maria Noichl. (SHKARKO RAPORTIN E PLOTE KETU)
Po pse në Shqipëri proçesi është bllokuar?
ProLGBT dhe Aleanca Kundër Diskriminimit ndjejnë për detyrë të sqarojnë komunitetin LGBTI në Shqipëri se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Shteti shqiptar ishte ndër të paktat vende që i kërkoi zyrtarisht Këshillit të Europës ta ndihmonte në hartimin dhe zbatimin e një plani pune në fushën e LGBT. Për të qenë më të saktë: ishte qeveria e drejtuar nga z. Sali Berisha që bëri këtë kërkesë ndaj Këshillit të Europës.
Ministria e drejtuar atëherë nga z. Spiro Ksera ngriti një grup pune që me zor të madh mundi të hartojë një plan veprimi e madje të kishte të atashuar dhe një buxhet për këtë.
Në fund të vitit 2013, kur qeveritë ishin ndryshuar proçesi vazhdoi.
Specialistët më të mirë të se drejtës kushtetuese në Shqipëri të kontraktuar nga KE (përfshirë znj. Aurela Anastasi dhe znj. Arta Mandro) në konsultim të ngushtë me organizatat për të drejtat e njeriut hartuan propozimin për të amenduar Kodin e Familjes, më konkretisht nenin që jep përcaktimin e bashkëjetesës.
Meqë në Shqipëri nuk ka akoma një ligj të posaçëm për bashkëjetesën, as për bashkëjetesën mes çifteve burrë grua, specialistët propozuan që të ndryshonin edhe nenin ku thuhet që çiftet kanë të drejtë të shkojnë para noterit. Propozimi ishte që ky nen të shndërrohej: “Parlamenti të hartojë një ligj të plotë për bashkëjetesat”.
Gjithashtu, duke qënë se legjislacioni shqiptar nuk e pengon hartimin e një ligji për njohjen gjinore, specialistët hartuan dhe një projekt propozim pikërisht për njohjen gjinore. Znj. Albana Vokshi e komisionit për të drejtat e njeriut ishte e pranishme dhe e mbështeti propozimin, ashtu si dhe zv/ministrja e MMSR znj. Bardhylka Kospiri.
Cfarë ndodhi më tej?
Ministria që në atë kohë drejtohej nga z. Erion Veliaj jo vetëm që e mbështeti zyrtarisht propozimin për të amenduar nenin në Kodin e Familjes që përcakton bashkëjetesën, por vetë Veliaj mori pjesë në konferencën globale të donatorëve për LGBT në Uashington ku e paraqiti këtë gjë si një hap të madh përpara! (LEXONI KETU FJALIMIN E TIJ TE PLOTE ATJE)
Ministria nuk mbështeti propozimin e dytë për hartimin e një ligji krejtësisht të ri për bashkëjetesën nga i cili do të përfitonin edhe çiftet burre-grua (edhe njëherë: Shqipëria nuk ka një ligj për bashkëjetesat as mes çifteve gej as mes çifteve burrë-grua).
Organizatat LGBTI, Këshilli i Europës, dhe gjithë partnerët ndërkombëtarë e përshëndetën këtë hap. Ndryshimi i një neni të vetëm që thotë se bashkëjetesa është një akt i qëndrueshëm që mund të bëhet mes dy personave madhorë nuk do të afektonte asnjë ligj tjetër në legjislacionin shqiptar. Pra nuk do të kërkonte një punë të madhe nga Drejtoria e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Më tej, MMSR e çoi propozimin në Ministrinë e Drejtësisë. Paralelisht me këtë Ministria e Integrimit e përfshiu këtë amendim në listën e punës që qeveria shqiptare do të bënte brenda qershorit 2014 në kuadër të plotësimit të detyrave në proçesin e integrimit.
Qershori i vitit 2014 kaloi dhe propozimi nuk u votua! Edhe z. Veliaj edhe znj. Gjosha na “qetësuan” atëherë duke na thënë se ky amendim do të votohej gjithsesi brenda vitit 2014.
Kaloi edhe gjysma e dytë e vitit 2014 dhe ky ligj nuk u votua. Por ndërkohë, qeveria shqiptare kishte marrë të gjitha lavdërimet nga ndërkombëtarët të cilët menduan se ishim në drejtimin e duhur. Raportet e DASH apo çdo progres raport e vlerësonte këtë hap të Shqipërisë por në të vërtetë, asgjë nuk kishte ndodhur…
Vetëm në fund të muajit mars 2015 ne arritëm të informoheshim se në të vërtetë, propozimi i MMSR ishte hedhur poshtë nga Ministria e Drejtësisë. Argumenti i vetëm kishte qenë: “ky nuk është prioritet për ne”.
Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që një nismë ligjore të jetë prioritet në dy ministri, por të mos jetë prioritet në një ministri tjetër, a thua se kemi të bëjmë me dy apo tre qeveri të ndryshme! Madje absurdi vazhdon kur vetë ministrja Gjosha katër ditë më parë në një takim me një europarlamentar Italian thotë: “Në Shqipëri është bërë shumë për të drejtat e njeriut dhe të them të drejtën ndjehem shumë mirë kur vendi, merr vlerësime nga partnerët tanë europianë. Respektimi i tyre ka të bëjë edhe me prioritetin e pestë që Shqipërisë i është lënë detyrë nga Komisioni Europian”.
Europarlamentari Italian Daniele Viotti kthehet në Itali dhe e mbush median atje me lajme sikur në Shqipëri qënka parajsë për LGBT dhe se Italia na qënkërka mbrapa Shqipërisë. http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-gjosha-takim-me-bashke-presidentin-e-inter-grupit-lgbt-te-parlamentit-europian-z-daniele-viotti
Me të marrë këtë informacion përfaqësues të ProLGBT dhe Aleancës LGBT u pritën në një takim nga kryetari i Parlamentit z. Ilir Meta. Përmes stafit të tij ai kërkoi që çështja të sqarohej me ministrin e vet, pra me z. Nasip Naço. Që nga ajo kohë deri tani ne nuk kemi asnjë informacion dhe nuk kemi asnjë sinjal se ministri Naço është i gatshëm të na presë.
Ne e sfidojmë publikisht qeverinë dhe maxhorancën shqiptare që të mos luajnë me dy standarte: një standart para ndërkombëtarëve të cilëve i shprehin gatishmërinë se do ta votojnë këtë ligj dhe një standart të dytë atë që përdorin konkretisht e që është bojkotim i papërgjegjshëm.
Përndryshe kemi të gjithë të drejtën të besojmë se kjo maxhorancë jo vetëm që NUK është në DREJTIMIN E DUHUR, por është një maxhorancë që gënjen: ndërkombëtarët, qytetarët, shoqërinë civile dhe median.