Diskriminimi, sfida që afron median me kauzën LGBT
Cel Kosova zhvillon një trainim për gazetarë dhe studentë të gazetarisë
Shkruajnë Sidorela Aliaj dhe Kulmita Kajtazi
Prishtinë, 4 dhjetor – Qendra Për Barazi dhe Liri në Kosovë (CEL Kosova) organizoi të premten një trainim mbi mënyrën e raportimit të gazetarëve rreth çështjeve të komunitetit LGBTI (lezbike, gej, biseksuale, trasgjinorë dhe interseks) si dhe për nevojën e sfidimit të diskriminimit.
Trainimi, ku merrnin pjesë gazetarë dhe studentë të gazetarisë, u zhvillua nga aktivisti për të drejtat e LGBTI dhe gazetar nga Shqipëria, Kristi Pinderi, në ambjentet e Youth Initiative for Human Rights.
Në këtë aktivitet, u trajtuan problemet dhe të drejtat e komunitetit LGBTI me shembuj konkretë nga Kosova dhe Shqipëria. Pinderi potencoi rëndësinë që i duhet kushtuar marrëdhënies së komunitetit LGBTI me median duke inkurajuar paraqitjen sa më të shpeshtë në media të komunitetit dhe shtimin e hapësirës që media i ofron problematikës së të drejtave të njeriut.
“Për fat të keq në median shqiptare ka më shumë vend për polemikat se për problemet reale dhe shqetësimet e komunitetit LGBTI”, tha Pinderi. Megjithatë, sipas tij, komuniteti LGBTI dhe lëvizja për të drejtat e këtij komuniteti nuk duhet ta lerë veten jashtë medias dhe nuk duhet të injorojë kërkesat e saj. “Pavarësisht se polemikat nuk informojnë, ato mund të jenë një shans në duart e komunitetit LGBTI për të edukuar shoqërinë por dhe median vetë”, shtoi Pinderi.
Sipas aktivistes Blerta Morina, CEL Kosova ka mbajtur edhe më herët gjatë këtij viti trainime mbi të drejtat e komunitetit LGBTI dhe çështje të tjera që si synim kanë mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtës për liri dhe shprehje për gjithsecilin. Gjatë trainimit u shfaq edhe dokumentari i parë me metrazh të gjatë për historinë e lëvizjes LGBT në Shqipëri, SkaNdal, fitues i çmimit të parë të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë (Pogradec 2015), si dhe pjesëmarrës në konkurrimin zyrtar në disa festivale ndërkombëtare mes tyre dhe në Festivalin e Sarajevës në 2014.
/k.p./
Sipas një sondazhi rajonal mbi perceptimet e shoqërisë rreth LGBT, organizuar nga National Democratic Institute dhe Civil Rights Defenders, Kosova mbetet ndër vendet me homofobinë më të lartë në rajon. Roli i medias është kësisoj i domosdoshëm në emancipimin e shoqërisë./A.A.