Dita ndërkombëtare e Coming Out
Spectrum, një organizatë me një ambient jogjykues për të gjithë njerëzit të të gjitha identiteteve gjinore dhe seksuale në kuadër të ditës ndërkombëtare të Coming Out në datën 11/10/2015 ka nxjerrë një broshurë me historitë Coming Out të të gjithë anëtarëve të stafit, në mënyrë që të gjithë ata që bëjnë një jetë të dyfishtë të marrin guximin të dalin hapur dhe të jetojnë jetën e tyre ashtu siç e meritojmë të gjithë ne.
Coming out është një proces shumë individual. Nuk është njësoj për të gjithë; kjo është edhe arsyeja pse shumica e njerëzve LGBT do të kenë secili historinë e tyre personale të daljes hapur. Kjo broshurë përmban histori të vërteta nga jetët e anëtarëve të Spektrum, duke treguar se si udhëtimi i çdo personi është i ndryshëm. Të dalësh hapur për herë të parë mund të jetë një vendim i frikshëm për të bërë dhe reagimet e njerëzve ndaj kësaj kurrë nuk mund të parashikohen. Për shumicën e njerëzve LGBT, nuk është asnjëherë vetëm një ngjarje e veçuar sepse ne duhet të dalim hapur tek njerëzit gjatë gjithë jetës tonë.
Siç thotë Mikey Lyons-Thornhill në historinë e tij- “dalja hapur nuk ndalet asnjëherë. Mua më duhet ta bëj çdo ditë dhe gjithmonë do të vazhdoj ta bëj, por me kalimin e kohës bëhet më e thjeshtë.” Megjithatë, një temë që zë shumë vend në historitë tona është se të dalësh hapur të ofron një ndjenjë të fortë lirie dhe një aftësi për të qenë me të vërtetë vetëvetja. Ashtu siç thotë dhe Carlos McQueenie – “pendimi im i vetëm është që kam humbur aq shumë kohë duke u përpjekur të isha diçka që unë nuk isha”.
Philip Quartermaine thotë: Unë gjithmonë e kam ditur se kam qenë gej dhe duke parë pas në kohë do të prisja që shumë njerëz ta kishin të qartë këtë gjë. Unë kam frekuentuar një shkollë katolike dhe nuk kam hasur aspak homofobi deri në momentin kur profesori i etikës kaloi një orë duke na shpjeguar se pse çdo aspekt i homoseksualitetit është i gabuar. Edhe pse nuk kisha dalë hapur kur u largova për në universitet unë pashë në prospekt se kishte një shoqëri LGBT dhe isha i kënaqur. E jetova jetën e studentit për vitin e parë dhe u mundova shumë të jem heteroseksual, duke patur një të dashur vajzë për pak kohë. Në fillim të vitit të dytë pata një ndjenjë të forte se do të ishte tani ose kurrë dhe se po çoja dëm vitet më të mira të jetës duke pretenduar të isha dikush tjetër dhe duke gënjyer miqtë e mi. Vendosa ti tregoj njërës prej mikeshave të mia që ishte shumë entuziaste dhe më tha se dhe ajo ishte biseksuale. Shumë miq të tjerë që pasuan mendonin se kjo nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Ishte shumë fuqizuese të isha në gjendje të bisedoja plotësisht hapur me miqtë e mi dhe të mos kisha nevojë të fshihja gjë. U ktheva nga universiteti në Uells dhe ende nuk kisha dalë hapur para prindërve. Fitova një punë gjatë fundjavave në një bar gej dhe në këtë pikë unë ndjeva se prindërit e mi e kishin të nevojshme të dinin në mënyrë që ta merrnin vesh nga unë, dhe jo nga dikush tjetër. Takova nënën për një filxhan kafe në qendër të qytetit dhe i thashë që kisha disa lajme në lidhje me një punë të re. Ajo më pyeti drejtpërdrejtë nëse ishte në një bar gej; ajo kishte dyshuar se isha gej për disa kohë tashmë. Unë nuk jam i befasuar nga ky fakt pasi fshehja e seksualitetit tim më kishte ndarë nga prindërit e mi. Më kujtohet pyetja në lidhje me cilët bare frekuentoja dhe përgjigjet e tipit nuk e mbaj mend, ose vetëm ‘Cardiff …’ Që kur dola hapur, kam parë jetën time të ndryshojë në mënyrë dramatike. Unë kam më shumë miq të mirë, marrëdhëniet e mia me prindërit janë përmirësuar, siç është përmirësuar edhe niveli i shëndetit; humba peshë deri në atë pikë ku njerëzit që nuk i kisha parë prej vitesh nuk më njihnin. Duke parë pas në kohë do të doja të kisha dalë hapur më herët, por jam mirënjohës që përvojat e mia kanë qenë aq pozitive pasi jo të gjithë kanë reagim pozitiv nga miqtë dhe familja.
Një tjetër histori është edhe ajo e Charley Hasim që tregon: Unë u rrita si më e madhja e 4 motrave në jug lindje të Londrës. Që nga adoleshenca e hershme unë tërhiqesha nga gratë më shumë se nga burrat. Kurrë nuk mendoja se do të isha në gjendje për të dalë hapur tek familja ime, pasi nëna ime shpesh thoshte “Unë do ti mohoja fëmijët e mi nëse do ishin gej “dhe bënte zhurma mospranuese kur shihte skena intimite brenda të njëjtit seks që shfaqeshin në TV. Fakti që nuk kisha dalë hapur para familjes time nuk dukej një çështje e madhe për mua, unë isha e pavarur, jetoja jetën time, kisha shumë aventura dhe flija me kë të doja kur të doja, kështu që nuk dukej çështje shqetësuese. Motrat e mia sillnin të dashurit e tyre në shtëpi, ndërsa unë shkoja në udhëtime, ose kisha shumë gjëra aktive në jetën time. E gjithë kjo ndryshoi kur takova të dashurën time aktuale. Doja që ajo të ishte pjesë e gjithë jetës time, dhe për këtë arsye e dija se do të ishte e nevojshme t’ja prezantoja familjes time. Ne ishim bashkë për rreth tre javë, por unë e dija se ishte serioze. Për ditëlindjen time të 21-të, mamaja ime dhe unë shkuam për pushime dhe në gjysmë të rrugës ajo më pyeti se kujt po i dërgoja sms. Kur i tregova, ajo tha se gjithmonë e kishte ditur se isha lezbike, dhe se çdo gjë ishte në rregull. Ishte një lehtësim, jo të kisha pranimin e saj, por thjesht të mos më duhej të fshihja një pjesë timen. Nuk ka ecur çdo gjë vaj që atëherë, por unë ndihem shumë me fat pavarësisht mendimeve të tmerrshme të mamasë. Ajo gjithashtu na rriti që të jemi të pavarura dhe kokëfortë dhe të mos frikësohemi të jemi ato që jemi, nëse i shqetëson njerëzit si ajo apo jo. Ajo ka treguar se mund të ndryshojë, dhe unë e edukova atë, pasi shumë nga pikëpamjet e saj vinin nga të qenit e painformuar mbi çështjet. Ajo tani është shumë e hapur në lidhje me vajzën e saj lezbike, dhe unë mendoj se kjo ndihmon për të sfiduar të tjerët të cilët mund të ndajnë pikëpamjet e saj të kaluara./A.A.