Dita Ndërkombëtare për Vizibilitetin e personave Trans/ mesazhe nga komuniteti trans
Foto: Twitter
Dita Ndërkombëtare për Vizibilitetin e personave Trans zhvillohet çdo fund marsi dhe është një ditë shumë e rëndësishme për komunitetin trans. Ky komunitet vijon të ketë vizibilet të ulët në media, edhe pse ndeshin një nivel të lartë dhune psikologjike dhe fizike, tregojnë të dhënat nga studime të ndryshme.
Një paraqitje inforgrafike nga organizata TSER (Trans Educational Student Resources) tregon për një rritje të nivelit të dhunës, kërcënimeve dhe frikës të përjetuar nga komuniteti trans. Këto të dhëna tregojnë se 80% e studentëve trans ndihen të pasigurtë në shkolla, 50% janë përdhunuar ose ngacmuar nga partneri i tyre si dhe 41% kanë tentuar vetëvasjen.
Statistikat e krimit dhe dhunës kundrejt personave trans janë shumë më të larta sesa ato për personat gej, lezbike, biseksualë si dhe personat në mëdyshje për identitetin e tyre gjinor. Më poshtë gjendet dhe prezantimi inforgrafik nga TSER:
Portali “HistoriaIme” ka publikuar vitin e kaluar një revistë online vetëm për komunitetin transgjinor në Shqipëri për të ngritur vizibilitetin e këtij komuniteti në median shqiptare. Nuk kanë munguar gjithashtu dhe intervista me aktivistë dhe persona nga komuniteti transgjinor në shtetet fqinje si dhe nga Gjeorgjia, ku duket se ka një shkelje flagrante të të drejtave të këtij komuniteti. Më poshtë gjenden disa prej mesazheve që këta aktivistë dhe persona transgjinorë kanë ndarë me “Historiaime”.
“Nuk po i bëj asgjë të keqe askujt, është trupi im e di unë çfarë bëj me të. Ajo që dua të them është se më vjen shumë keq për djemtë dhe vajzat transgjinorë që janë kaq të mbyllur. Shpresoj ta kuptojnë një ditë që nëse duan të bëjnë diçka për veten është të dalin hapur dhe ta ndiejnë veten jashtë kafazit moral të shoqërisë. Dhe kur ta fillojnë ta ndiejnë këtë jo jua premtoj, por është absolute dhe e sigurtë që do të ndihen shumë mirë” Lola, transgjinore dhe aktiviste për të drejtat e komunitetit trans nga Shqipëria.
“Problemi më i madh është se në Gjeorgji transgjinorët nuk trajtohen si qenie njerëzore…Në çdo hap ne ndeshim diskriminim, dhunë psikologjike dhe fizike, ne nuk mund të ecim në rrugë gjatë ditës, nuk përdorim dot transportin publik, nuk punësohemi dot dhe mundësia e vetme që mbetet është të punosh si punonjëse seksi, që sjell më shumë probleme për ne”Miranda Pagava, transgjinore dhe aktiviste për të drejtat e komunitetit trans nga Gjeorgjia.
“Shoh që shumë transgjinore në Tiranë po flasin hapur për identitetin gjinor si trans. Do doja që në të ardhmen të bëhem dhe unë më aktive për të mbrojtur të drejtat e personave trans dhe kjo gjë mund të arrihet vetëm duke dalur hapur dhe duke ngritur zërin”. Amelia, transgjinore nga Shqipëria.
“Presioni i shoqërisë në lidhje me gjininë dhe seksualitetin nganjëherë edhe pa e vënë re, peshon më shumë se sa ndryshimet fizike dhe psikologjike që i shkakton terapia hormonale, po edhe dëshira e madhe për të qenë dhe për tu ndjerë rehat në trupin tënd e lehtëson këtë proces sado i vështirë që do të jetë”. Lendi Mustafa është transgjinori i parë në Kosovë që ka dalë hapur për identitetin e tij gjinor
“Duhet të dalin, ta pranojnë veten ashtu siç janë dhe aspak të ndryshojnë jetën e tyre për shkak të mamit, babit, apo duke marrë në qafë një jetë të dikujt tjetër duke u shtirur dhe mbi të gjitha jetën e vet, që nuk do të jenë të lumtur asnjëherë”.Serafina, transgjinore dhe aktiviste për të drejtat e komunitetit trans nga Shqipëria.
/k.m/