E burgosura transgjinore thotë se u ndje si një kafshë në një kopsht zoologjik
Një grua transgjinore e cila u dërgua në një burg burrash thotë se u ndje e ‘persekutuar’ gjatë kohës së saj pas hekurave.
Tara Hudson po bën thirrje për reforma në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, pasi u trajtua “si një kafshë” gjatë burgosjes së saj në një burg për burra vitin e kaluar.
Znj. Hudson thotë se është mbajtur e mbyllur në qelinë e saj gjatë qëndrimit të saj për gjashtë javë në HMP Bristol dhe e ndarë nga të burgosurit e tjerë për shkak të identitetit të saj gjinor.
“Mund të them se ata nuk ishin gati për një të burgosur si unë,” tha ajo për BBC.
“Për shkak të identitetit tim gjinor ata mendonin se duhet të më mbyllnin në izolim dhe të më mbanin larg nga popullsia kryesore e burgut.
“U ndjeva sikur po më persekutonte shteti. Ndjeva se nuk kisha asnjë të drejtë. U ndjeva si një kafshë në një kopsht zoologjik.”
Znj. Hudson – e cila u dënua pasi pranoi se kishte gjuajtur me kokë një banakier – ka jetuar si grua pjesën më të madhe të jetës së saj, por u dërgua në një burg burrash pasi ligjërisht ajo është burrë dhe nuk ka kaluar nëpër proceset burokratike për të marrë një certifikatë të njohjes së gjinisë.
Ajo u transferua përfundimisht në një burg për gra pas një proteste kombëtare, por pretendon se sistemi ende po i zhgënjen të burgosurat transgjinore.
Vetëm një muaj pasi znj.Hudson u transferua në burgun e grave HMP Eastwood, dy të burgosura transgjinore vdiqën brenda disa javësh ndërsa po mbaheshin në objekte vetëm për burra.
U hapën hetime për vdekjen e njëpasnjëshme të Vikki Thompson në HMP Leeds, dhe Joanne Latham në HMP Woodhill në Milton Keynes, dhe Ministria e Drejtësisë u zotua të shqyrtojë se çfarë përmirësimesh mund të bëhen.
Pavarësisht çështjes së përsëritur, qeveria ka refuzuar të marrë masa emergjente për të identifikuar të burgosura të tjera transgjinore – duke zgjedhur të presin deri sa të përfundojë shqyrtimi para se të ndërmarrin masa të mëtejshme.
“Të drejtat transgjinore janë 20 vjet pas nga të drejtat e gejve. Kjo është diçka që vetëm tani ka filluar të jetë në qendër të vëmendjes, “tha zonja Hudson pas lirimin e saj.
“Unë do të bëj çdo gjë që është e mundur që ky ligj të ndryshojë. Nuk mund të rri duarkryq.”/A.A.