“From Prishtina With love”, sfilata e BKR-së me kauzën më të fuqishme në rajon(FOTO)
Pavarësisht të ftohtit që po mbizotëronte jashtë, dhe pavarësisht vendit ku ishte vendosur të mbahej sfilita e radhës e Blerina Kllokoqi Rugovës, të gjithë ata që ishin të ftuar kishin ardhur të shihnin koleksionin më të ri të kësaj kreatoreje. Një autosallon, në magjistralen Prishtinë-Lipjan, mbrëmjen e së mërkurës ishte kthyer në një pasarelë ku do të parakalonin modelet me fustanet e punuara me shumë delikatesë nga kreatorja. Por nuk ishte vetëm kaq, kjo mbrëmje kishte shumë befasi e të papritura që lirisht mund të themi që asnjëherë në rajon nuk i kemi parë e ndoshta edhe më gjerë.
Pasi që të gjithë u rehatuan nëpër vende, e të gjithë thuajse të veshur në mënyrë elegante në sallë reflektorët që ishin të lidhur me zinxhirë morën ngjyrën e kaltër, pastaj filluan tingujt e kitarës, violinës, celos dhe perkusioneve të cilat sollën para publikut këngëtarin Genc Prelvukajn me një performancë interesante 3 minutëshe. Pas kësaj, meloditë e instrumenteve vazhduan dhe filloi këndimin një djalë, i cili këndoi këngë të bukura për Prishtinën, për shiun, bukurinë, e kështu me radhë, e këngët që këndoheshin live i përcillnin një e nga një modelet të cilat dilnin me fustane nga ato solemne e më ekstravagantet.
Por prapë po themi se kjo nuk ishte e tëra. Kësaj radhe Blerina solli një gjë ku siç thamë të paparë më herët, ku në publik ishin shumë gra, fytyra publike të cilat iu bashkëngjitën modeleve, duke sfiluar dhe duke treguar kreacionet që ato i kishin veshur, e që ishin të punuara nga Blerina.
Por kauza e kësaj ngjarje shkonte edhe më tej, jo vetëm modelet dhe gratë me pushtet në vend reklamuan kreacionet e BKR-ës, mbrëmja e së mërkurës për herë të parë nxori edhe komunitetin LGBT, ata që prezantuan disa nga veshjet e Blerinës për të pranishmit. Të veshur me fustane, take, flokë të rregulluar bukur por fytyrë të mbuluar me maska interesante u paraqitën para publikut, ku këta të fundit i duartrokitën mjaft shumë.
Ishin gjithsej 43 fustane, me ngjyra shumë të veçanta, siç ishin e kuqja që binte shumë në sy, ngjyrë lëkure, hiri, krem, të kaltër, vjollcë e shumë të tjera ku të pranishmëve u bëri shumë përshtypje, dhe kritikat ishin shumë të mira nga ata.
“Në radhë të parë, Blerina gjithmonë më pëlqen, sepse e nxjerr origjinalitetin e vet në pah, që ka shumë rëndësi. Më bëri përshtypje sot ngjyra e kuqe, ndoshta për faktin që unë e pëlqej shumë atë ngjyrë, më bëri përshtypje nxjerrja në pah e ngjyrave që i takojnë ngjyrave më mbretërore, si ngjyra e mishit, ngjyra hiri dhe ngjyrat krem të cilat janë definitivisht të Blerinës. Kurse modelet e fustaneve ishin jashtëzakonisht të punuara me profesionalizëm. Teknikisht mund të them se më pëlqej shumë, dhe mund të them se Blerina është njëra prej kreatoreve e cila mbetet një vulë kosovare e cila duhet te luftojë dhe të dalë jashtë kufijve të Kosovës, sepse ajo e meriton”, u shpreh për KultPlus, tenori, Luan Durmishi i cili për paraqitjen e komunitetit LGBT tha se ky është një guxim i madh, e sipas tij edhe një iniciativë e mirë nëse duam ti bashkohemi botës së qytetëruar.
“Për mua ishte sensacioni i cili definitivisht bravo i qoftë Blerinës që e ka pruar deri në këtë pikë”, u shpreh Durmishi.Drejtoresha e Kinemasë ABC-Miradije Vllahiu, Vlora Dumoshi nga kabineti i kryeministrit Isa Mustafa, aktorja-Ilire Vinca, kryetarja e Komunës së Gjakovës-Mimoza Kusari Lila, moderatorja-Fllanza Citaku, gazetarja-Diana Toska, gjinekologia-Jasmina Tolaj, e shumë të tjera ishin ato që i ishin përgjigjur Blerinës me pjesëmarrje në sfilatë, ku për disa, ishte hera e parë që e bëjnë një gjë të tillë, ndërsa disa që ishin aktore, moderatorë ishin mësuar të jenë pjesë e skenës.
“Unë kam studiuar fakultetin e arteve dhe skena për mua është gjithmonë primare, dhe kështu edhe sot për mua ishte skena e shenjtë, pavarësisht asaj që kisha emocione, sepse është diçka që po bëhet për herë të parë në Kosovë, pra gra me pozita të rëndësishme kanë marrë guximin që të dalin dhe të japin një mesazh që edhe ato mund të jenë pjesë edhe të kampanjave e edhe të fushatave që bëhen për komunitetin LGBT”, theksoi për KultPlus, deputetja, Blerta Deliu sipas së cilës në publik kjo gjë u prit shumë mirë, dhe ajo tha se mesazhi ishte i qartë ku ne si shoqëri i pranojmë komunitetin LGBT si të gjitha qeniet njerëzore.
Në përfundim të sfilatës, ku prapë ishte një veçanti në vete, me një peshqir të mbështjellë rreth belit doli në pasarelë edhe kryetari i Partisë së Fortë, Visar Arifaj i cili padyshim mori duartrokitjet më të forta gjatë kësaj mbrëmje.
E krejt për fund, e s’kishte si të bëhej pa të, edhe protagonistja u shpreh shumë e lumtur që çdo gjë shkoi sipas planifikimit të saj. Ajo për KultPlus, tha se për këtë koleksion ka punuar një kohë shumë të gjatë, por që së fundmi rezultoi me sukses gjithë ajo punë.
“Ideja ka qenë që “From Prishtina with Love”, me sjellë një frymë ndryshe prej asaj që e kemi parë deri më sot, kështu që Prishtina njihet si Kosovë, dhe botës duam ti tregojmë që edhe ne mund të sjellim shumë gjëra të mira. Jam shumë e kënaqur me gjithçka që kishte sonte. E sa i përket komunitetit kjo punë është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh për fund kreatorja, Blerina Kllokoqi Rugova./A.A.