Jetmir Idrizi me fotot e tij të transgjinorëve brazilianë fiton çmimin e parë
Jetmir Idrizi, fotografi kosovar, me ciklin TransBrasil ka fituar çmimin e parë në Campaign Shortlist në Sony World Photography Awards nga World Photography Organisation, nga mijëra e mijëra fotografë nga e mbarë bota.
Idrizi në fotografitë e tij paraqet kësisoj personat queer, dhe identitetin e mënyrën e tyre të jetesës në trajta të ndryshme. Fustanet, ahengjet, sjelljet, disponimi i këtyre personave në një shtet që nuk ka vetëm pozitivitet. Prej kohësh Idrizi jeton në Brazil, atje ku edhe e ka realizuar projektin e tij fitues, për të treguar kësisoj se sa fotografia si medium artistik mund të lobojë e jetë kampanjë senzibilizuese për grupet e margjinalizuara e diskriminuara nëpër botë.
Fotografitë e tij do të ekspozohen nga sonte në Somerset House në Londër.
“Ndihem shumë krenar që më në fund puna ime është duke u vlerësuar ndërkombëtarisht e posaçërisht me një projekt të tillë që flet për identitetin gjinor, një temë që në Kosovë shumë pak ose pothuajse hiq nuk është prekur” pati thënë Idrizi për KultPlus me të marrë lajmin e nominimit, muaj më parë./A.A.