Lendi, transgjinori nga Kosova në ekspozitë në Berlin
Lendi, një transgjinor nga Kosova dhe një nga individët më të guximshëm të komunitetit LGBT në Kosovë, është pjesë e një ekspozite fotografish në qytetin e Berlinit.
Ekspozita “Balkans and Beyond” është projekt i CafeBabel ku ka tregime nga vende të ish Jugosllavisë. Nga Kosova, fotografi Fisnik Dobreci ka bashkuar forcat me Lendin për të nxjerrë një tregim rrënqethës mbi jetën e Lendit, i cili ka lindur femër por ndjehet mashkull dhe më herët pati thënë se do ti shkojë deri në fund edhe operacioneve, për tu bërë mashkull.
Fisnik Dobreci e ka përcjellë Lendin në momente të ndryshme të jetës dhe ka nxjerrë këtë reportazh. Fotografitë e Dobrecit, me Lendin si protagonist, janë pjesë e ekspozitës e cila është hapur më 17 tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri me 30 nëntor në Info Cafe Gallery në Berlin.
Në ekspozitë janë paraqitur edhe tregime të tjera. Nga Sarajeva vjen një tregim mbi gjeneratën pas Marrëveshjes së Daytonit, ndërsa nga Beogradi vjen tregimi se si projekti Waterfront dëshiron të shkatërrojë pjesën e vjetër të qytetit, për ta kthyer atë në një alla Dubai të cilin qytetarët e Beogradit nuk e dëshirojnë./A.A.