Pasi dola hapur si biseksual, nuk mund të takohem as me heteroseksualë e as me gej
Mu deshën pesë vjet që të bëja seks me një mashkull esëll. Nuk isha aspak i sigurtë se pse e bëja një gjë të tillë. E dija që më pëlqenin femrat, dilja me femra, dhe më është thyer zemra aq herë nga femrat sa nuk dua ta pranoj.
Çdo moment zgjuar e kaloj i konsumuar nga seksualiteti im. Duke u përpjekur që të gjej një arsye pse duhet të shkoj me meshkuj. Më pëlqen vëmendja. Jam shumë i eksituar dhe mendje hapur. Unë kurrë nuk do mund të dashuroja me të vërtetë një mashkull. Nëse gjithçka tjetër dështon, unë do të mund të mendoja, hej, kam qenë i dehur. Zoti e di që kam bërë gjëra edhe më të çmendura ndërsa kam qenë i pirë.
Së fundi, vendosa që duhet ta bëja. Duhet të kryeja marrëdhënie seksuale me një burrë dhe të isha esëll. Pasi e bëra, nuk u ndjeva sikur kisha kuptuar çdo gjë. Nuk u ndjeva sikur kjo ishte diçka që më kishte munguar dhe e kisha të nevojshme. Përfundova të isha më shumë konfuz. Mu duk si çdo marrëdhënie tjetër për një natë që kam qënë me femra.
Kur fillova të flija me një djalë për të cilin fillova të kisha ndjenja, atëherë e kuptova. Unë mund ta bëja këtë. Mund të dilja dhe të bija në dashuri me një mashkull. E dija se çfarë doja, dhe më në fund mund të dilja dhe ta kërkoja. Tani unë mund të dal si me femrat ashtu edhe me meshkujt. Variacioni im është dyfishuar!
Në një nga momentet më krenarë të jetës sime, unë ndryshova profilin tim në OkCupid nga heteroseksual në biseksual. Papritmas, pata oferta për orgji dhe për BDSM, por vendosa ti injoroj me shpresën se do takoja njerëz të të dyja sekseve me të cilët unë mund të lidhesha.
Takimi im i parë në OkCupid me një djalë gej:
Çdo gjë po shkonte mjaft mirë duke pasur parasysh se ishte një takim i parë, por unë nuk isha i përqendruar në çdo gjë që ai thoshte. Kaluan tridhjetë minuta dhe nuk u përmend asnjëherë fakti që unë isha biseksual. Ai e di, apo jo? Pastaj ai hodhi temën e daljes hapur. Unë i shpjegova se nuk kisha një histori tradicionale të daljes hapur si biseksual.
“Oh, qenke biseksual?” Nuk mund të vendosja nëse në tonin e tij kishte befasi apo gjykim.
“Po. A nuk e pe në profilin tim në OkCupid? ”
“Jo, më ka shpëtuar. Supozova që ishe gej. ”
“Jo.”
Buzëqesha. Pati një pauzë të sikletshme, dhe ja pashë në fytyrë. Nuk ishte gjykim siç dyshova. Ishte mëshirë. Dhe, ndërsa ai nuk tha asgjë tjetër, asgjë tjetër nuk ishte e nevojshme të thuhej.
Në fillim fajësova veten. Pastaj u nxeha. Ç’lidhje ka? Pse mohon seksualitetin e dikujt tjetër? Si nuk e sheh hipokrizinë?
Pastaj fillova të trembem. Kështu do jetë gjithmonë? Gjithmonë do më duhet ti provoj njerëzve që jam biseksual? Askush nuk duhet të provojë se është homoseksual apo heteroseksual.
Pas atij takimi të parë, shqetësimi im u riafirmua. Shumë meshkuj gej më thoshin saktësisht atë çfarë mendonte djali në takimin tonë të parë, “Oh zemër, edhe ti do ta kuptosh shpejt. Siç bëmë ne. “Dhe sa herë që e kam dëgjuar këtë, apo kam parë fytyrat e tyre të vetëkënaqura, dyshimet më shtoheshin më shumë . Ndoshta kjo është vetëm një fazë. Ndoshta unë jam thjesht heteroseksual ose homoseksual. Dua të them, ku janë të gjithë meshkujt e tjerë biseksualë dhe jo ata që e përdorin biseksualitetin si një hap për të dalë hapur si gej?
Duke vënë në pikëyetje tërheqjen time për meshkujt, unë fillova të takohesha me femra, por ende identifikohesha si biseksual.
Takimi im i parë me një femër ishte kështu:
Po flisnin për profesionet tona, dhe pa asnjë ndërprerje ajo tha: “Pra, profili yt thotë se je biseksual.”
“Po.” Ajo ktheu kokën anash, dhe unë munda të shihja mekanizmat të punonin në trurin e saj.
“Si është? Unë kurrë nuk jam takuar me një mashkull biseksual. “Ajo po më shihte sikur të isha një njëbrirësh në një kuti xhami.
Nuk dija si të përgjigjesha. “Është mirë.”
“Pra, kush të pëlqen më shumë?”
“E ke parasysh se si disa njerëz pëlqejnë mollë dhe disa njerëz portokalle? Mua më pëlqejnë të dyja.”
Pyetjet pa ndalesë vazhduan, dhe ndërsa ajo pyeste për çdo gjë me edukatë, unë nuk doja të gërmoja në jetën time seksuale, betejat e mia, dhe konfuzionin tim me dikë që nuk e njihja.
Pas atij takimi, unë zhvillova një fjalim të vogël për ti dhënë përgjigje këtyre lloj pyetjesh. Është e vështirë, sepse njerëzit shpesh nuk ju besojnë, por mua më pëlqen të kem opsione në takime, etj. Unë me delikatesë eci në vijën e ndërmjetme që shumica e njerëzve nuk e kupton dhe nuk është ndryshe nga të qenit heteroseksual apo homoseksual.
Sigurisht, jo të gjithë ata që kam takuar ishin kështu. Unë kam dalë me një djalë gej për nëntë muaj dhe ishte mrekulli. Ai më pranoi dhe nuk e vuri në dyshim identitetin tim. U ndjeva i dashuruar. Për fat të keq, gjërat nuk funksionuan, dhe vetëm tani, pasi fillova të dal me të dashurën time biseksuale, e kuptoj pse.
Arsyeja është e thjeshtë: Ajo më kupton mua dhe unë kuptoj atë. Është më shumë se pranim dhe simpati. Është kuptim dhe ndjeshmëri. Unë po qaja në zyrën e terapistit tim kur i thashë se sa shumë e doja atë.
“Pse e dashuroni?” Pyeti ai.
“Sepse kurrë nuk jam ndjerë kaq mire që jam vetvetja. Kurrë nuk jam ndjerë kaq mirë që të mos merrem në pyetje. Të jem plotësisht i kuptuar.”
Që atëherë e kam ndryshuar fjalimin tim të vogël kur njerëzit pyesin se si është të jesh biseksual. Është ndryshe nga të qenit heteroseksual dhe homoseksual. Është me të vërtetë ndryshe, dhe unë dua që ju ta kuptoni këtë.
Si një mashkull biseksual cis-gjinor unë kurrë nuk do të mund ta di se si është të jesh heteroseksual, homoseksual, transeksual, panseksual, apo aseksual. Por unë ju pranoj, ju dua, dhe do të bëj çmos që të kuptoj se si është të jesh si ju.
Unë kam qenë me fat që gjeta dikë që më kupton. Që nuk më fut në një kuti. Ajo është gjithashtu biseksuale, dhe unë e di se nuk është një rastësi. A do të jem në gjendje të dal vetëm me biseksualë tani e tutje? Nuk e di. Ajo që di është se sa mirë ndjehesh kur të kuptojnë.
Marrë nga: www.xojane.com