Për një rikonceptim të familjes – SHKRIM PER TE MOS U HUMBUR!
Botuar me pseudonimin Zero Zero nga Organizata Politike
Pedalimi për barazi dhe çlirim social të komunitetit LGBT dhe mundësia që në reformën e re të drejtësisë të ligjësohet e drejta për t’u martuar brenda të njëjtës gjini kanë ndezur polemika të forta në rrjetet sociale. Shumë konservatorë, për çudi edhe më shumë liberalë, kanë mprehur kamat e kundërshtisë ndaj veprimeve në fjalë me dy arsyetime kryesore: të drejtën për familje e ka kushdo, prandaj gayt t’i lënë qurravitjet se nuk i diskriminon njeri; e drejta për t’u martuar brenda së njëjtës gjini përbën mutacion të rrezikshëm natyror dhe moral, duke rrezikuar kështu shëndetin e familjeve të zakonshme.
Ka edhe kritika të tjera, më se të qëndrueshme për mendimin tim, si tinëzia përmes së cilës tentohet kalimi i ligjit për martesat homoseksuale pa diskutim publik apo se shoqëria ka halle tjera edhe më serioze. Mirëpo, si fillim le të shqyrtojmë dy arsyetimet kryesore.
Jo, të drejtën për tu martuar nuk e ka gjithkush! Një dredhi interesante në ligjërimin konservator është të qëndruarit në sipërfaqe, sjellje më se cinike kur bëhet fjalë për shkoqitjen kritike nëse me ligjin aktual të martesës diskriminohet apo jo komuniteti LGBT. Kur çështja hapet, arsyetohet kështu: Epo mirë, të drejtën për t’u martuar e ka burri dhe gruaja, ndërsa homot le të dashurohen në shtëpi, pa zë dhe larg syrit të publikut. Kjo quhet tolerancë dhe liri sipas tyre. Përse jo në publik zotërinj të nderuar? Çfarë ndodh kur guxojnë të bëjnë zë apo të puthen në sytë e të gjithëve? Mbyten në dru, ja çfarë! Ironikisht, ligjërimit konservator i nevojitet doemos të mbetet cinik, ndryshe çdo pyetje dhe përgjigje gjatë diskutimit ua rrëzon qëndrimin zyrtar.
Së dyti, nëse gjejnë guxim të thellohen në çështje, bitisin në arsyetime qesharake si “Zoti bëri Evën dhe Adamin”, “Familja është seksi midis gruas dhe burrit”, “Bijtë tanë do të bëhen gay nëse ndeshin dy burra duke u puthur me njëri tjetrin” e kështu me radhë. Le të bëhemi pakëz cinikë. Nëse Zoti paska bërë Evën dhe Adamin, a nuk do të thotë se shtrirja e mëtejshme e njerëzimit qenka inçest i madh e skandaloz?! A nuk u dha lejen të bënin ç’të donin, të krijonin rregullat e tyre, botën tashmë njerëzore dhe sociale, kur i përzuri prej kopshtit hyjnor si mëkatarë?! Nëse janë kaq fetarë fanatikë, përse janë kaq lakmitarë, përse dëshirojnë gratë e të tjerëve, përse urrejnë kështu etj?! Të jetosh në shekullin XXI me idiotësira të këtilla është shumë, po shumë më e rrezikshme se të qenit homoseksual.
Pastaj kush tha që seksi midis karit dhe pidhit qenka shpirti i jetës familjare?! Ç’mund të themi për çiftet që për shkaqe biologjike nuk bëhen me trashëgimtarë? Po për njerëzit që kanë hequr dorë prej të bërit seks? Po për komunitetet e njerëzve që as nuk qihen, as nuk kanë të njëjtin gjak, racë apo fe, por që i thonë vetës familje? Reduktimi i familjes në funksionin riprodhues të saj është qëndrim reaksionar, pasi në konsideratë nuk merret dashuria midis njerëzve, por roli mishtor i tyre, të pjellurit skllevër për sistemin dhe legjitimim i marrëdhënieve shtypëse, patriarkale dhe shfrytëzuese të burrit mbi gruan. Pra kemi nënshkruar kontratë, kemi bërë dasmë, jemi palluar, njihemi si bashkëshortë për publikun dhe kjo na bën familje, burrë e grua, pavarësisht ndjenjave dhe marrëdhënieve. Çfarë familjeje shembullore!
Djemtë do të bëhen gay nëse ndeshin në dy burra që puthen në park mes veti? Ashtu?! Ç’më thua për t’ët bir që çdo mbrëmje kënaqet duke vozitur në faqe pornografike zonjë? Çfarë nuk ka aty! Që nga seksi dyshe te seksi me kafshë. Gayllëku është gjë e zakonshme. Yt bir vdes për puthjet midis lesbikeve. Vërtet mendoni se njohja me homoseksualizmin do t’i bënte gjysmakë bijtë tuaj?! Ata janë tashmë të tillë. Nuk kanë seksualitet. I keni rrahur çdo herë kur kanë belbëzuar fjalët e pista dhe nuk u jeni përgjigjur pyetjeve të sinqerta rreth frutave mishtore në pikun e zbulimit të vetes. Prandaj janë turrur drejt pornografisë.
Prej andej dalin edhe më të paditur, pa ndjenjën e të bukurës, pa kënaqësinë e të shijuarit, pa idenë e intimitetit, pa përvojën e seksualitetit. Bëhen shkërdhyes. Duan të hanë mish, bythë, cica. Seksin tjetër nuk e njohin. As që dinë ta joshin atë. I konsiderojnë kurva. Kurvat nuk joshen, por qihen me forcë. Edhe nëse arrijnë t’i lidhin dy fjalë të bukura. e bëjnë për arsye krejt instrumentale. Jo se janë romantikë, sepse është turp të jesh romantik, por ngaqë duan të arrijnë qëllimin, ta shkërdhejnë tjetrën e pastaj ta fyejnë, dhunojnë, poshtërojnë. Zonjë, mendoj se më shumë duhet të shqetësohesh për injorancën heteroseksuale të djalit sesa për rrezikun homoseksual të tij. Gayllëku do bythë o e përdëllyera ime!
Martesa homoseksuale rrezikon familjen e shembullore heteroseksuale – thonë. Përse, shembullore ju duket familja e sotme?! Burri rreh gruan, gruaja djalin, djali vajzën, vajza vëllain e vogël, vëllai i vogël macen. Pastaj, dashuria juaj! Hyjnorja dashuri familjare, që në nëntëdhjetenëntë për qind të rasteve të bën të vjellësh. Çfarë vlerash na mësoni o prindër të devotshëm heteroseksualë? Na bëni servilë: shiko djalin e komshies, je një hiç para tij, pra urreje! Na bëni të nënshtruar: mos u merr me të tjerët, shiko punët e tua, interesin tënd! Na poshtëroni: mos bëj këtë, mos bëj atë, jo këtë dëshirë, jo atë ëndërr! Ti nuk je vetja, por më përket mua, të kam bërë kokën. Keni pyetur vetën sa të vetëvrarë, sa të çmendur dhe sa urryes ka krijuar kjo dashuria juaj? A keni dashuri a jo njëherë? Shumica e rinisë tonë nuk ka parë kurrë babain ta puthë mamanë, por veç ta rrahë, ta fyejë e ta përdorë. Jeni nënshtruar kaq shumë, sa nuk keni rezultat tjetër në jetë veç bijve dhe ua merrni frymën atyre. Përse nuk merreni me veten?! Sepse nuk ka me dashuri mes jush, ja pse! Lidhja skllavërore me punën, mobilimi i shtëpisë, vrapimi pas veturës e luksit, ju ka bërë të braktisni njëri-tjetrin, të mos e dëshironi më. Kjo nuk është akuze o prindër të dashur, por për të vënë kujën. Dashuroni pra, dhe lërini të tjerët të dashurojnë!
Po, vendi ka me mijëra halle të tjera. Ekonomia është në krizë, klasa politike nuk përfaqëson më askënd, çmimet rriten, pagat ulen, shkollat kanë marrë fund. Mirëpo të gjitha këto probleme – ekonomia, politika dhe diskriminimi social – janë pjellë e të njëjtit rend shoqëror. Nuk besoj se mund t’i shijojë ndokujt darka e shijshme kur pak hapa më tej një gay rrihet vendçe mu në mes të rrugës. As demokracia nuk ka kuptim nëse nuk i përfaqëson të gjithë, ndryshe do të ishte aparteid. Shkolla nuk do të ishte edukuese nëse nuk u mëson brezave të mos urrejnë etj. Në një pikë jam dakord. Nuk mund të propagandosh të drejtat e gayve dhe të heshtësh për ato të punëtorëve, të papunëve, romëve etj. Gayt nuk mund të reduktohen në komunitet ekzotik ambasadorësh. Mirëpo këtë e kanë kuptuar edhe vetë, kur pedalojnë për barazi dhe jo privilegj, për solidaritet dhe jo llastim. Historikisht gayt, punëtorët, feministët, romët, pacifistët dhe studentët kanë ecur dorë për dore në luftën për të drejta dhe çlirim social. Prandaj ekzotizimin ambasadorial nuk mund ta kapim si faj të tyre, por si okupim mbytës të sistemit ekzistues, që e keqpërdor kauzën LGBT për të grimuar si humane fytyrën e tij çnjerëzore. Besoj se në çastin e duhur, komuniteti gay do të bëjë rreshtimin e duhur: të bashkohet kundër varfërisë, për arsim, në mbrojtje të të drejtave punëtore. Sepse të jesh vetëm gay nuk ka kuptim. Gay është punëtor, student, rom, i varfër etj. Këtë duhet të kuptojmë. Kjo lidhje duhet bërë. Ky kusht është themelor në luftën për emancipim.
Unë që po shkruaj nuk jam as gay dhe as ndonjë mendjehapur i madh, madje jam adhuronjës i zjarrtë i seksit tjetër. Jo për shfajësim, por gjithçka, që nga shpirtërorja deri te mishtorja e gruas/vajzës më pëlqen, më magjeps, ma ngreh. Ishte një zemërim i çastit që më shtyu të shkruaja sepse për mendimin tim nuk ka kuptim të shpenzosh kohë me teori fetare, biologjike dhe sociale për të arsyetuar në mbrojtje apo në urrejtje të gayve. Ata janë, dhe kaq mjafton. Çështja është si t’u hapim vend dhe si ta bëjmë më plurale shoqërinë ku jetojmë. Vend dhe plurale jo në kuptimin e një bythe vend dhe secili për bythën e tij, por se si përqafimi social i këtij komuniteti ta çlirojë shoqërinë prej shumë ideve, klisheve dhe traditave që u ka shkuar koha. Barazi për të gjithë! Në shkollë, punë dhe dashuri! Paqe!