Policia rrahu dhe arrestoi protestuesit që sfiduan dekretin e ndalimit për Paradën LGBT në Stamboll
Stamboll – Ndërsa muzgu po afronte të dielën, rrugët mbusheshin me fytyra të buzëqeshura që shkëlqenin nga xixat dhe ngjyrat, muzikë pop dhe daulle. Gjithandej, valëviteshin flamujt e ylberit në qiell ndërsa turma mblidhej. “Mos jini të heshtur, mos e mbyllni gojën, bërtisni, homoseksualët ekzistojnë,” bërtisnin ata.
Në të dy anët e turmës paqësore dhe të gëzueshme ishin rreshtuar policët me uniformat e trazirave, duke pritur me mburojat dhe shkopinjtë e tyre.
Rreth 1,000 protestues që mbronin të drejtat e gejve u përleshën me forcat e policisë turke në Stamboll në një përpjekje për të sfiduar një dekret kundë paradës vjetore të Krenarisë LGBT.
Të paktën 11 persona u raportuan të arrestuar, sipas avokatëve dhe aktivistëve, pasi policia shkarkoi gaz lotsjellës përgjatë rrugës më të famshme tregtare të qytetit. Policia gjithashtu ka gjuajtur me plumba gome, sipas The Times of Israel dhe ITV News.
Protestuesit mund të pretendojnë fitore deri diku. Falë negociatave midis organizatorëve dhe policisë, protestuesit mund të mblidheshin në anë të rrugës, duke valëvitur flamujt e ylberit dhe duke kënduar, edhe pse ishin të ndaluar të marshonin.
“Ky është viti i katërt që policia po na ndalon dhe sulmon,” tha Hakani, një 27-vjeçar punonjës i një organizate që kërkoi që mbiemri i tij të mos publikohej.
“Të jesh LGBTI po bëhet më e vështirë. Ne jemi pjesë e shoqërisë dhe po themi se duam të drejta si të gjitha minoritetet. Por sot, ata as që na lejojnë të hyjmë në rrugë për shkak të pamjes tonë dhe sepse kemi me vete flamuj ylber. Ne po themi që jemi këtu, jemi pjesë e komunitetit, dhe jemi queer.”
Në një deklaratë për shtyp, organizatorët e Paradës thanë: “Ne LGBTI + (lezbike, gej, biseksualë, transeksualë, interseks) jemi këtu me krenarinë tonë pavarësisht përpjekjeve të kota për të na penguar. Ne nuk e njohim këtë dekret.”
Protesta e së dielës shënoi konfrontimin e parë të profilit të lartë midis kreut të qeverisë Turke, Rexhep Tajip Erdogan dhe kundërshtarëve të tij kulturorë e politikë qëkur fitoi zgjedhjet e 24 qershorit që i dhanë atij fuqi të zgjeruara si presidenti i parë ekzekutiv i vendit.
Vendimi për ndalimin e Paradës dhe reagimi i ashpër nga forcat e sigurisë sugjerojnë se Erdogan do të vazhdojë atë që kritikët e tij e kanë përshkruar si një rrugë autoritare.
Parada vjetore e Krenarisë së Stambollit, dikur konsiderohej një shembull i shkëlqyeshëm i tolerancës për komunitetin LGBTI në botën muslimane.
Parada e Krenarisë u bë një festë vjetore e gjallë e plot me ngjyra, ku me qindra këmbësorë ecnin përgjatë Rrugës Istiklal në kryeqytetin komercial dhe kulturor të Turqisë.
Si kryebashkiak i Stambollit dhe udhëheqës i Turqisë, Erdogani mburrej me Paradën si një simbol i kozmopolitanizmit dhe tolerancës në vend.
Por duke filluar në vitin 2015, ai dhe partia e tij politike me rrënjë islamike filluan ta godisnin marshimin, duke trembur aktivistët e të drejtave civile dhe avokatët LGBT.
Në fillim, Stambolli e ndaloi marshimin duke e lidhur me atë që u përshkrua si shqetësim për sigurinë midis një morie sulmesh terroriste që kishin goditur qytetin në shkallë të gjerë. Pastaj përmendi rastësinë e marshimit me muajin e shenjtë të Ramazanit.
Këtë vit, marshimi rastisi pas Ramazanit, megjithatë autoritetet vazhduan ndalimin, duke informuar organizatorët në mesjavë se nuk kishin leje për të marshuar sepse kishte “ndjeshmëri” publike.
Protestuesit nuk ishin të kënaqur. Ata erdhën me parulla e ylbera. Lady Gaga dëgjohej me zë të lartë nga stereot portativ. Ata kërcenin në rrugë.
Policia u përpoq të shmangte konfrontimet duke lejuar një protestë të vogël përgjatë rrugës që përfshiu edhe një fjalim. Por numri i njerëzve vazhdoi të rritej dhe ndërsa grupet e protestuesve më së shumti të rinj shtoheshin, kjo sfidoi policët e armatosur përgjatë rrugës Istiklal dhe rrugëve të ngushta.
“Ne nuk kemi vizibilitet në asnjë hapësirë - në vendin e punës, shumë njerëz LGBTIQ duhet të fshehin gjininë ose orientimin e tyre seksual, tha Meriç Aytekin, një aktivist nga Komiteti i Krenarisë. “Ose në sistemin e arsimit, ata duhet ta fshehin veten. Dhe kjo [Krenaria] është vendi i vetëm intensiv për të dalë hapur, për të treguar veten, çfarë je, çfarë të pëlqen dhe çfarë do, e ke parasysh? Dhe vizibiliteti na ndihmon të ndryshojmë sistemin politik, të ndryshojmë ligjin.”
Ndërsa protestuesit kërkuan të kalonin në rrugën kryesore, ndodhi një përleshje. Policia me uniforma dhe mjete trazirash, së bashku me qentë e policisë dhe automjete të blinduara i urdhëruan protestuesit të shpërndaheshin. Por turma vazhdoi të lëvizte.
Pastaj turma u gjuajt me gaz lotsjellës. Protestuesit, së bashku me kalimtarët, filluan të vrapojnë duke u munduar të qëndrojnë së bashku, ndërsa policia u përpoq t’i shpërndajë në rrugë më të vogla.
Policia i ndoqi protestuesit, duke i kërcënuar, dhe herë pas here i merrnin demonstruesit, i tërhiqnin dhe i fusnin nëpër furgona, ose i godisnin nëse rezistonin.
Ndërsa po binte mbrëmja, policia përgjatë rrugës Istiklal, bllokoi hyrjet si në rrugën kryesore ashtu edhe në rrugët anësore. Dukej sikur ndalonin këdo që kishte rroba me ngjyra të ndritshme, që mbante një flamur ylber, ose që kishte prerje flokësh asimetrike.
Organizatorët e quajtën sukses marshimin e këtij viti, pavarësisht përleshjeve. Tulya Bekisoglu, një artiste dhe anëtare 20-vjeçare e Komitetit të Krenarisë, tha se këtë vit kishte më shumë njerëz sesa vitin e kaluar.
“Unë shoh më shumë të rinj që dalin hapur dhe shoh më shumë njerëz që e identifikojnë veten jo vetëm me identitetet e dukshme,” tha ajo. “Edhe në shkollën e mesme dhe fillore ata kanë filluar të identifikojnë veten në mënyrë më specifike dhe kjo më bën të lumtur dhe të gëzuar për të ardhmen.”/A.A.