Propozohet që “kanosja për shkak të orientimit seksual” të jetë vepër penale. Kodi parashikon kanosjen ndaj personit
Kanosja ndaj homoseksualëve duhet që të parashikohet me sanksione në Kodin Penal. Propozimi është paraqitur nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi sipas të cilit “për të garantuar të drejtën për siguri dhe mbrojtje nga dhuna të personave për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor të tyre, propozojmë që: pas nenit 84/a të Kodit Penal, të shtohet një nen tjetër me qëllim parashikimin si figurë të veçantë vepre penale të kanosjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor të personit”. Në të njëjtën kohë propozohet “të riformulohen ose të shtohen nene të reja pas nenit 119/a “Shpërndarja e materialeve raciste ose ksenofobike nëpërmjet sistemit kompjuterik” dhe nenit 119/b “Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik” në mënyrë që të kriminalizohet shpërndarja e materialeve homofobike nëpërmjet sistemit kompjuterik. Lidhur me këto propozime sillen si referencë udhëzime të BE-së, siç ndodh rëndom me institucionet shqiptare që ja bëjnë “ta” ndonjëherë me ndonjë nismë. Çfarë nuk kuptohet fare është se përse duhet theksuar në Kodin Penal ky sanksion, kur vetë Kodi e parashikon kanosjen ndaj personit si vepër penale. Nga ana tjetër regjistri më elementar i sharjes në gjuhën shqipe, përfshin shprehje që në kuptim të këtij neni rrezikojnë, teorikisht, të kualifikojnë si konsumues të veprës penale një komunitet njerëzish. Ç’mund të themi për tifozët në stadiume atëherë? Këtu çështja shtrohet në planin praktik të zbatimit të ligjit, jo në drejtësinë e propozimeve.
s.z
Marrë nga respublica.al