Të dalësh hapur duke luftuar
Ndërsa fantazma e errët e 2016-ës dhe një peizazh politik i ndryshuar rrënjësisht vazhdon të rëndojë mbi këtë vit të ri, fituesi i Academy Award, skenaristi Dustin Lance Black shpreson se seriali i tij i ri dramatik When We Rise do të ndihmojë të frymëzojë një brez të ri për të luftuar për barazinë e LGBT +.
Në një intervistë ekskluzive në numrin e shkurtit të revistës Attitude, Black tregon se si marrëdhënia e tij me yllin olimpik britanik Tom Daley, e ka ndihmuar në frymëzimin e punës së tij. Ai kujton mundimet gjatë rritjes si gej në Kishën Mormone, dhe shpjegon se pse When We Rise, seriali i tij i ri me shtatë episode në ABC që tregon luftën e katër aktivistëve LGBT + gjatë katër dekadave, është vendosur të transmetohet muajin e ardhshëm në Amerikë.
“Ne kemi një reagim të ashpër në mbarë botën, ku njerëzit po flasin për ndërtime muresh dhe mbyllje kufijsh në vend të mirëkuptimit dhe të përqafimit të të afërmve të tyre,” thotë Black.
“Unë shpresoj të frymëzoj një brez të ri që të ngrihet në këmbë dhe të luftojë dhe mbrojë atë që kemi arritur në një moment të errët si ky.”
Si një nga figurat gej më me ndikim në Hollivud, Black ka shumë për të thënë në lidhje me homofobinë institucionale e cila ka penguar prej kohësh shumë yje që të pranojnë publikisht seksualitetin e tyre – dhe ai është e qartë se ku qëndron faji.
“Unë kurrë nuk kam hasur homofobi në audicionet nga studiot apo rrjetet, asnjë herë, kurrë. Ju e hasni atë tek agjentët dhe menaxherët, ata janë ata të cilët kanë një ide të vjetëruar të çmimit që një aktor mund të paguajë në qoftë se është zbuluar se është pjesëtar i komunitetit LGBTQ … shpesh ata nuk duan të ndodhë asgjë që mund të kompromentojë investimet e tyre,” shpjegon ai.
“Unë mendoj se ata i dëmtojnë aktorët e tyre, sepse ata i heqin aftësinë yllit të televizionit që të jetë i hapur dhe i sinqertë, dhe një audiencë mund ta ndjejë këtë.”
Dhe sa për aktorë të cilët qëllimisht çorientojnë publikun e tyre?
“Unë nuk kam respekt për dikë që gënjen në lidhje me seksualitetin e tij/saj. Të paktën të thonë “pa koment”, thjesht mbaje jetën tënde personale, personale. Por në qoftë se do ta fshihni veten, kjo dërgon një mesazh negativ.”/A.A.