T’u drejtohesh fëmijëve transgjinorë me emrin që ata zgjedhin, ul riskun e depresionit dhe vetëvrasjes
Një studim i ri ka zbuluar se rreziku i depresionit dhe vetëvrasjes tek të rinjtë transgjinorë ulet në mënyrë drastike kur ata lejohen të përdorin emrin që ata vetë e zgjedhin.
Studiuesit në Universitetin e Teksasit në Austin pyetën 129 të rinj transgjinorë të moshave 15 deri në 21 vjeç, nëse ata ishin në gjendje të përdorin emrat që ata kishin zgjedhur në punë, në shkollë, në shtëpi dhe me miqtë.
Emri i zgjedhur, është një emër që një individ transgjinor i vendos vetes dhe preferon që të tjerët t’i drejtohen me këtë emër të ri dhe jo me atë që i është dhënë në lindje.
Sipas studimit, fëmijët që mund të përdorin emrin e tyre të zgjedhur në punë, në shkollë, në shtëpi dhe me miqtë e tyre, përjetojnë 71% më pak simptoma të depresionit, 34% më pak mendime të raportuara për vetëvrasje dhe një reduktim prej 65% në tentativat për vetëvrasje, krahasuar me moshatarët që nuk mund të përdorin emrin që kanë zgjedhur.
Duke lejuar të rinjtë të përdorin emrin e tyre të zgjedhur në shtëpi, në shkollë, në punë dhe me miqtë e tyre, gjithashtu ndihmon në konfirmimin e identitetit të tyre gjinor, tha një prej studiuesve.
Mendimet dhe përpjekjet vetëvrasëse janë shumë të zakonshme në komunitetin transgjinor.
Fondacioni Amerikan për Parandalimin e Vetëvrasjeve dhe Instituti Ëilliams zbuluan se 41% e individëve transgjinorë, përpiqen të kryejnë vetëvrasje krahasuar me 4.6% të publikut të përgjithshëm. Përveç kësaj, Instituti Williams i UCLA zbuloi në vitin 2014 se përpjekjet për vetëvrasje, ishin më të larta tek të rinjtë e moshës 18-24 vjeç, një grup moshe që përputhet me atë që u shqyrtua në studimin e ri të UT Austin.
Hulumtimi sugjeron se lejimi i trangjinorëve të përdorin emrin ose përemrin e tyre të preferuar, është një mënyrë e thjeshtë për të promovuar një shëndet më të mirë mendor./M.B.