Xheni Karaj: Ne duam të ndërtojmë një marrëdhënie me njëra-tjetrën, ashtu si Mesila me Enkelin
Propozimi për amendimin e dy neneve në Kodin e Familjes, për t’i hapur rrugë bashkëjetesës së çifteve homoseksualë, ka hasur shumë kritika, jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë, por edhe nga politikanët. Gjatë diskutimit të raportit të Avokatit të Popullit për të drejtat e personave LGBT, përfaqësuesit e qeverisë dhe deputetët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut shprehën angazhimin e tyre, për të bërë përmirësime në legjislacion, për të drejtat e këtij komuniteti. Ky propozim është parë me sy kritik, pasi është interpretuar si cenim i vlerave të familjes. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Xheni Karaj, drejtoreshë Ekzekutive e Aleancës Kundër Diskriminimit LGBT, u shpreh se bashkëjetesa mes personave me të njëjtin seks është një e drejtë që u takon, pasi orientimi i tyre seksual nuk duhet të bëhet motiv që këta persona të kenë më pak të drejta së të tjerët. Ajo shprehet se, vlerat e familjes nuk prishen nga dy qenie të së njëjtës gjini që jetojnë bashkë, por nga krimi dhe dhuna në familje. Sipas saj, legjislacioni në Shqipëri për komunitetin LGBT është më i mirë se në shumë vende të BE-së, por mungon implementimi i tyre në realitet. Pjesën kritike, e cila vjen nga radhët e politikës, ajo e quan të padrejtë, pasi kjo nuk është rruga e duhur drejt BE-së. Sipas saj, nuk ka integrim evropian pa respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT.
Xheni, sipas mendimit tuaj, nëse ligji për bashkëjetesën mes personave të së njëjtës gjini kalon në parlament. Realisht sa do të ndikojë te personat e komunitetit të LGBT-së? A do të ketë çifte të guximshëm për të jetuar bashkë edhe ligjërisht?
Duhet të sqarojmë se, ky nuk është një ligj i veçantë, që rregullon bashkëjetesën mes personave të së njëjtës gjini, por thjesht një amendim i dy neneve të Kodit të Familjes, që më parë e përcaktonin bashkëjetesën, si bashkim midis një burri dhe një gruaje. Ndërkohë që me ndryshimet e propozuara, bashkëjetesa do të përkufizohet si bashkim mes dy njerëzve, duke krijuar hapësirën ligjore për njohjen e bashkëjetesës dhe të personave LGBT. Çiftet gay dhe lesbike do të kenë mundësinë përmes këtyre ndryshimeve të shkojnë te një noter dhe të nënshkruajnë një kontratë, e cila nga aspekti ligjor e mbron gjithçka që ata kanë ndërtuar bashkërisht gjatë viteve të bashkëjetesës. Ky është një hap i parë, por jo një zgjidhje përfundimtare, pasi dhe përmes ndryshimit të këtyre dy neneve çiftet e LGBT-së nuk gëzojnë të njëjtat të drejta si çiftet heteroseksuale. Janë të shumta çiftet e gay dhe lesbike, që bashkëjetojnë dhe kanë ngritur një jetë dhe familje, së bashku gjatë viteve të fundit. Ka ardhur momenti që këto çifte mos të trajtohen më si qytetarë të dorës së tretë, por të gëzojnë të drejta të plota. Aty ku ekziston nevoja për të njohur ligjërisht një marrëdhënie, për të cilën ke investuar për vite të tëra, duke kaluar dhe shumë mundime, të cilat çiftet homoseksuale nuk kanë pse i kalojnë, pasi dashuria e tyre merret si e mirëqenë, sigurisht që gjendet edhe guximi.
Ndiqni intervistën e plotë këtu