Një nismë që mbron dinjitetin
Në Shqipëri, shumë persona me aftësi të kufizuara përballen çdo ditë me sfidat e lëvizjes. Shumë prej tyre përdorin karrige me rrota të dhuruara, të përdorura ose të vjetra, të cilat shpesh prishen dhe nuk kanë ku t’i riparojnë. Një defekt i vogël mund të shndërrohet në javë të tëra izolimi, varësie nga të tjerët dhe pamundësie për të dalë nga shtëpia apo për të kryer aktivitetet bazë të përditshme.
Kur pyetëm se pse ju desh të merrnin një iniciativë të tillë, përgjigja e Koordinatores së projektit, Kristiana Lee ishte e shkurtër, por zemërthyese. Ajo na tha: “E pamë që nuk po e bënte askush tjetër këtë”
Pikërisht ky ishte shkaku pse lindi një projekt I tillë dhe i pazakontë në vendin tonë, një shërbim lëvizës që riparon karriget me rrota dhe pajisje të tjera ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara, duke u shkuar atyre në shtëpi. Projekti synon të mbështesë fillimisht 50 persona në qytete dhe zona të ndryshme të Shqipërisë, me qëllimin që askush të mos mbetet i izoluar vetëm sepse pajisja e tij e lëvizjes është prishur.
Kristiana tregon se ideja lindi nga një boshllëk i madh:
“Shumë persona me aftësi të kufizuara mbeten të izoluar për ditë apo javë kur karrigia e tyre prishet, sepse nuk ka shërbime riparimi. Ne e pamë këtë si një nevojë urgjente për të siguruar lëvizshmëri, dinjitet dhe pavarësi.”
Në vend që njerëzit të detyrohen të udhëtojnë ose të presin ndihmë të pasigurt, ekipi i projektit shkon vetë në banesën e tyre me një mekanik dhe një asistent. Riparimet bëhen në moment, duke iu rikthyer përdoruesve mundësinë për të lëvizur dhe për të vazhduar jetën e tyre pa pengesa.
Ajo thekson se projekti nuk është vetëm një shërbim teknik. Ai është një model fuqizimi.
“Personat me aftësi të kufizuara janë pjesë e ekipit tonë, jo vetëm përfitues. Ata marrin role vendimmarrëse dhe teknike, dhe veçanërisht gratë me aftësi të kufizuara janë në qendër të drejtimit të kësaj nisme.”
Kjo qasje jo vetëm që krijon vende pune, por rrit vetëbesimin, pavarësinë ekonomike dhe rolin publik të personave me aftësi të kufizuara, duke treguar se ata janë aktorë të fortë të ndryshimit social.
Shumë karrige me rrota, sidomos ato elektrike, përfundojnë në mbetje kur prishen. Bateritë e tyre përmbajnë substanca të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.
“Riparimi dhe ripërdorimi i pajisjeve zvogëlon ndotjen dhe mbetjet. Ne duam të krijojmë një qark të qëndrueshëm, ku pajisjet të kenë jetë më të gjatë dhe komuniteti të mbështetet” – thotë Kristiana.
Pra, projekti sjell dy përfitime të mëdha: lëvizshmëri për njerëzit dhe mbrojtje për mjedisin.
Më pas Kristiana na rrëfen një histori të thjeshtë, por shumë prekëse:
“Ndihmuam një djalë të ri që kishte mbetur pa lëvizur për ditë sepse bateria e karriges elektrike ishte prishur. Kur e rregulluam, na tha i lumtur: ‘Tani mund të dal sërish në diell’. Këto momente na kujtojnë pse ky projekt ka kaq shumë vlerë.”
Çdo karrige e rregulluar është një jetë më aktive, më e pavarur dhe më dinjitoze.
Në fakt, rrugëtimi sapo ka filluar, por vizioni është i qartë:
“E shohim këtë si fillimin e një rrjeti kombëtar të shërbimeve të riparimit. Duam që çdo qytet, çdo zonë rurale, të ketë akses. Publiku mund të na ndihmojë me promovim, donacione apo vullnetarizëm, ndërsa institucionet mund të mbështesin me politika, fonde dhe bashkëpunime.”
Në thelb, kjo nismë është një thirrje për solidaritet. Për t’i dhënë lëvizje atyre që shoqëria shpesh i lë në pritje. Për t’i kthyer dinjitetin dhe hapësirën që meritojnë./E.M.







