Poezia Queer – Çika jeme

Kur e hapëm konkursin për poezinë queer, nuk e dinim se do na vinin kaq shumë zemra që dhimbjen e përkthejnë në fjalë. Në çdo varg të shkruar, ndjemë plagë që kërkojnë shërim, dashuri që nuk fshihet më, dhe ëndrra që guxojnë të thuhen me zë të lartë. Poezitë që do publikojme janë dërguar nga njerëz të ndryshëm të komunitetit tonë – të rinj e jo të rinj, nga qytete e fshatra, nga vetmia dhe dëshira e deri tek guximi. Të gjitha këto poezi janë të vërteta dhe tani janë tuajat për tu shijuar.
ÇIKA JEME
Isha 9 a 10 vjeç, aty diku, saktësia është fort e mbivlerësuar, nëna ma bleu një
llambadë. Po i them llambadë jugosllave, një dozë e puhizës jugosllave. Në pah
dilte më shumë ngjyra e kuqe, por llambada kishte të gjitha ngjyrat në një
eksploziv marramendës piktoresk ku çdo nuancë e çdo ngjyre ishte llogaritur të
mos e cënonte të drejtën e ekzistimit të ngjyrës tjetër. Starti im në universin e
‘çikës’ mendoj se ka qenë ky. Këtu unë nisa të merrja frymë si çikë, të ecja si çikë,
të nervozohesha si çikë, dhe këmbët e bardha dëborë në një moment dikujt edhe
i janë dukur si këmbët e një….çike.
Projekti i nënës, krijimi i një fëmiu që mund të ndërrojë gjininë sa herë të dojë,
ishte në fillime të mbara. Në shkollë, në agime, para mësueses, isha një djalë me
flokë të zeza i cili e donte shumë sidomos diturinë për natyrën. Në shtëpi, kur të
tjerët të ishin larguar, nëna mund të më ndihmonte në picpillimin e pasdites. Më
takonte mua të kompenzohesha disi, të ndërroja shpesh personalitetet,
karakteret, rolet e mia, absurdin, me vështirësinë që e ka të transformohet një
fytyrë mbushur buzëkuq në një çehre me mustaqe të forta si korja e bukës.
Unë jam një xham i dyfishtë i një shtëpie të harruar në mal. Unë jam mjellma më e
thyeshme në delegacionin e mjellmave të fshatit. Unë i trembem ndjenjave të
mia, unë jam i dëmtuar prej situatave të jetës, prej diktateve që shkruhen për ta
urryer e dënuar ekzistencën time. Unë jam sharja që thuhet nën zë, si e heshtur.
Unë jam 30 vjeç. Me siguri të plotë, betohem se nuk kam pjesë të trupit ku nuk
kanë depërtuar ngacmimet e maltretimet e poshtërsirave njerëzore. Unë jam i
njomë për brutalitetin, unë jam Bellorusia në shtrat me Rusinë, unë jam aktori i
cili kurrsesi nuk del prej roleve komike e zbavitëse anipse ushtron diksionin për të
qenë gladiatori i radhës, në sezonin e katërt. Unë jam burrë, kështu më ka mësuar
bota ta njoh veten. Unë jam burrë, sepse kështu më kanë thirrë burrat. Unë jam
burrë, sepse kësisoj ka vendosur gjysmërrethi i burrave. Unë jam sasia e duhur e
klorit në një pishinë të përshtatshme për secilin lloj lëkure. Unë jam lëng i frutave.
Në dy raste që i kujtoj tash, kam zhvilluar dashuri absurde kur këmbët më
rrëshqisnin në ballkonet e lagura të atyre hienave seksuale. Unë jam viktimë e
idealeve që të devotshmit i pshtyjnë më shpesh se gratë e tyre gjatë aktit. Jam
përpjesëtimi që e mban të gjallë problemin matematikor. Nëse flasim për lëndën
e kimisë, jam përzierja mes sodës së bukës dhe uthullës. Jo, më falni, do të ishte
një shpërthim i tmerrshëm lirik dhe gabim i madh laboratorik. Më mirë ta
përziejmë etanolin në ujë.
Më duket e thashë më herët, nuk e di me siguri forenzike, jam 30 vjeç. Jam i
goditur tri herë me shufër në kokë, stacioni policor e njeh dhe e ka të
dokumentuar vetëm herën e parë. Shoh fotografitë e masakrës së Srebrenicës
dhe nuk e kuptoj se si ende merret frymë lirshëm mbi këtë tokë. Unë jam i
lënduar, unë jam vajtuesi më i ftohtë në funeralin e shoqes time 49 vjeçare. Më
është thënë tash e sa kohë që jam burrë, dhe kërkojnë prej meje që mos të lotoj,
që t’i përgënjeshtroj emocionet që kanë, sipas tyre, aromë gruaje: pikëllimin,
empatinë, mallin, përqafimin me dy duar, turpin, fajin. Si burrë, shkenca, mjekësia
dhe gjyqësori i qytetit ku jetoj ma japin një siguri gati qindpërqindëshe që nuk
kam faj dhe që ekziston një mekanizëm i cili më mbron nga çdo dobësi.
A tregova që jam 30 vjeç? Sulmet e panikut janë pesë, çdo ditë, një për çdo vakt
islam. Ende më marrin për grua, për çikë.
Nëse deri tash isha pikturë e ndrydhur për juve, ka mundësi që prej paragrafit më
lartë e keni krijuar një kukull që mund të duket pak a shumë si unë. Një kukull me
sytë e vrenjtur, që dikujt i duket çikë e mua përherë më katrrithet si një mashkull
mustaqezeza, me një mjekërr që më lehtë konsiderohet si shpatë prerëse.
Prapë, kjo kukull, nënës time, në vegime të mjegullta, i duket çikë.
Nëna ngadalë e kuptoi vet se çika shembullore dhe me flatra të vullnetshme, do të
mbetej ndonjë tjetër, por jo e saja. Çikës, asaj, do tja
qetësonte epiqendrën e tërmeteve mendore, do ta linte dikur edhe punën që t`i
qëndronte afër fizikut të saj, do t’i bënte asaj pite e peshk.Më shumë se një çikë
që shtron tryezën dhe përgatitet për provimin e autoshkollës, nëna e kishte, e ka,
në shtëpi, një tjetër grua së cilës i përulet për veshjen e çorapave. Po, ka
momente kur ajo e mendon këtë njeri si çikën e saj; nuk kanë kaluar tridhjetë
minuta prej kur e dëgjova duke e thirrë – ‘çfarë çike je ti’ – supozoj si një
prapamendim i ndonjë gjesti të motrës që e ka nervozuar pak nënën. Gjithçka
ndoshta ka qenë shaka. Nuk e kupton shakanë veç Milan Kundera. Nëse e sheh
jetën si spektator nga jashtë, nëse arrin nivelin e vetëdijes ku e takon krejt jetën
Çika jeme.
Futur si me zor në oborrin e përkëdhelisë së saj, e kam dëgjuar jo rrallë nënën të
më thërrasë kësisoj. Përgjatë tri dekadave, unë shpesh kam qenë çika më e bukur
në ekspozitën ku kuratore është ajo, nëna, e ku nuk ka vepër tjetër. Kur e tëholloj
këtë shprehje në copëza të vogla plasteline, imagjinata më gjuan e më përplas në
disa drejtime. Nëna ime, në shkollën e saj jetësore, njeh dy çika biologjike që kanë
rrjedhë prej trupit të saj: motrën time të gjallë, dhe motrën time të vdekur (Çikën
tash e tutje po e marrim si çikën e shtëpisë, çikën e familjes, çikën që del prej trupit
si çokollatë e shtypur prej kroasantit që e blen në dyqanin më të afërm, si llava kur
e lezetshme derdhet prej majës së kraterit të vullkanit)
Motrën time të gjallë, ndjej unë, nëna nuk e ka përqafuar asnjëherë në versionin e
një çike. Motra ime e gjallë është në karrocë; gjatë javëve të para të ardhjes në
këtë botë (dy pyetje: a vijmë ne në këtë botë, apo bota e kësaj bote, ky planet,
vjen e na imponohet neve, në fetusin e patrazuar ku pushojmë?), diçka nuk shkoi
mirë me aparatusin që e mbante në jetë, dhe trupi i saj i vogël u nxeh aq shumë
sa, një kapilar diku nuk u puç sa duhet me tjetrin dhe mbi të u betua një fat i tillë,
të ecte më ndryshe se ne të tjerët (67 milion njerëz në mbarë botën përdorin
karrocën për të lëvizur, pjesa tjetër i shfrytëzon këmbët për të grushtuar objekte
pa nevojë ose për t’i rrezitur ato në Diell, pa dëshirë për lëvizje), lëvizje), të kërkonte
ndihmë për tu larë edhe në bregun e detit por edhe brenda banjos së përbashkët.
tënde dhe bisedon shumë pak me të, e vëren se është një shakagjie. Një shfaqje
humoristike. Kamerë e fshehtë. Një tejkalim në vija të plota rrugore që vijnë duke
u pështjelluar dita ditës, deri në të fundit ditë. Motra ime u kthye në një çantë
dërrmuese të rënduar për prindërit e mi. Çika e dytë e dalë prej trupit të nanës
time, e para dhe e vetmja e gjallë, do të merrte ngjyra e trajta të ndryshme
përgjatë ditëve të saj, ndoshta asnjëherë formën e një çike siç nëna e kish ëndërru
gjatë kohës sa po e bartte lartë e poshtë në barkun e saj të fryrë.
Një këngë tmerrësisht e dobët në tërë përbërjen e saj, në gjuhën shqipe, pak a
shumë lexohet kësisoj: ‘…veç pa çika tmira, Zoti mos na lashtë’….Pa gajle, Zoti i ka
në sirtare çikat, veç po e pret momentin ti plasojë ato rrapëllueshëm si raketa që sulmojnë.
Në trojet prej kah unë vij, lindja e një çike festohet shumë pak. Sikur nuk shtohet
popullsia e botës me lindjen e një çike. Sikur, një çikë në familje është lumturi e
çiktë, është një njollë e zezë. Nuk është shkruar në ndonjë paragraf shtetëror por
çikat sikur nuk ndihmojnë në natalitet, në rritje të popullësisë (si dy e dy që bëjnë
katër, problemi më i madh i plotve është fakti se bota po shkon drejt fundit meqë nuk po
ka mjaftueshëm pjella: ka më shumë se një grup njerëzish në botë që gjykohen e goditen
me gurë veç pse nuk ndihmojnë në natalitet, kanë zgjedhur ta duan veten më shumë se
fluturimin e spermës).
Nuk është e largmendshme nëse së shpejti do të ndahen çmime arritjeje veç për
burrat; aktori më i mirë, aktori më i mirë në rolin dytësor, regjisori më i mirë,
mostra më e mirë mashkull në kravatë, këpucët më të zeza mashkullore në
tepihun e kuq, këngëtari më i mirë në zhanrin mashkullor, këngëtari më i mirë
mashkull, rrobaqepësi më i mirë i qytetit, mister fotogjenia. Çikat do të jenë duke
i shtrënguar më pak kecelet e më shumë buzëqeshjet, në sallën e madhe të
ndarjes së çmimeve, e cila e ka emrin më të këndshëm që e keni dëgjuar viteve të
fundit: Salla ‘Burri’.
Lind një djalë, gjuajnë pushkë. Lind një çikë, rrudhen fytyrat e shtatë katundeve,
një kilometër i vuajtjes më nuk i ka 1 mijë metra. Lind një djalë, shtrohet darkë me
speca të mbushur e kadaif, hare apokaliptike, monumentale. Lind një çikë, një
facoletë e bardhë mbi fytyrë i duhet vënë se ndryshe na e kaplojnë dreqnitë. Lind
një djalë, pllaçitet një gotë raki e dardhës. Lind një çikë, ta gjejmë një udhë që
lajmi të vonohet pak, mos ta marrë vesh njerëzia qysh në behar. Lind një djalë,
dasmë. Lind një çikë, pikëllim. Lind një djalë, copëtojeni kurbanin. Lind një çikë, i
plaset timbri i veshit tek vajtojnë skenarin e jetës së saj, paramenduar gabimisht.
Lind një djalë, lind një tjetër, lindin djemtë. Linda unë, në vitin një mijë e
nëntëqind e nëntëdhjetë e …. Çikë.
A tregova tashmë që jam 30 vjeç? Nëse skleroza më ka puthur përjetësisht, po e
përsëris: jam 30 vjeçar. I lindur në një të martë, 8 tetor. Gjinia: çikodjalë. Seksi:
burrë. Seksi në Grindr: i dobët. Emri: Arbër. Shprehja që do ta përdorë ndonjëherë
nëna për të ma cokatë mendjen: çika jeme.
Nuk shoh diçka të jashtëzakonshme nëse ajo më drejtohet me ‘çika jeme’.
Dukshëm, poetikshëm, fjalët vijnë mbushur me dashuri, me estetikë, me brishtësi,
me një delikatesë që as nëna vet nuk e di se e posedon, me një dhembshuri që ma
lejon të mendoj se, mundësia ekziston, që fati im i keq është të vija në jetë si
djalë, të rritesha si mashkull, të bëhesha 30 vjeç si një burrë. Nëse rrethi yt të
sheh si një portokall, ti tanimë je një portokall lëvizës. Nëse ndërtimi shoqëror të
sheh e të formëson si varrmihës, ti varre ke për të gërryer deri në grahmën e
fundit. Diskursi publik të lë pa fjalë, por të jep shuplakë të nxehtë. Prindi të jep të
tjera, më vonë, edhe nëse je çikë. Shoqëria rreth meje tërë kohës më ka
përceptuar si djalë, ndaj stili im i jetës dhe së paku gjinia ime, konvencionalisht,
kualifikohen e manifestohen si të burrërishme, burrnake, burrërore.
ARBËR SELMANI