Të harruarit e itinerarit ballkanik
Qindra-mijëra refugjatë udhëtuan përmes itinerarit ballkanik drejt Evropës, por si është gjendja sot, kur fluksi i refugjatëve ka rënë? Një reportazh nga Deutsche Welle tregon për fatin e disa familjeve emigrante të mbetura në Greqi, Bullgari, Serbi, Hungari.
Abdulamir Hussein është 49 vjeç nga Irani. Ai dhe familja e tij janë prej dhjetë vitesh në arrati. Aktualisht ndodhen në Selanik, pjesë e një kontigjenti refugjatësh prej 7000 vetësh që presin pranimin në një nga vendet evropiane. “Ne jemi këtu përkohësisht”, thotë ai dhe i buzëqesh bashkëshortes, si të donte të merrte të paktën një lëvizje koke në shenjë miratimi. Por të dyve ua lexon lodhjen në fytyrë nga gjendja e krijuar.
Në janar të vitit 2016, Abdulamir arriti të dërgojë një djalë dhe vajzën më të madhe bashkë me foshnjën e saj në Greqi, pas një udhëtimi të rrezikshëm në një varkë të tejmbushur. Që të tre ata ia dolën të kalonin përmes itinerarit të Ballkanit në Gjermani, por kur një muaj më vonë, vetë Abdulamir me pjesën tjetër të familjes donin të kalonin kufirin, Maqedonia i mbylli dyert. “Kishim fat të keq”, thotë ai duke shtrënguar pas krahëve gruan në ngashërim e sipër.
Pas prishjes së kampit në Idomeni në maj, ata janë vendosur në Selanik, në pritje të zhvendosjes në një vend tjetër në Europë. Rruga më e shpejtë do të ishte ajo përmes Bullgarisë, një vend i ri tranzit për refugjatët.
Rreth 500 kilometra i ndajnë refugjatët në Selanik nga kampi i parë bullgar. Në Pastrogor, një fshat i vogël në trekëndëshin kufitar Bullgari-Greqi-Turqi janë vendosur kryesisht të rinj nga Pakistani dhe Afganistani dhe shumë pak familje. Shumica e meshkujve të rinj qëndrojnë në një holl, ku ka lidhje interneti. 23-vjeçari, Ali Raza nga Pakistani tregon se babai i tij ka paguar 3500 dollarë për udhëtimin në Bullgari. Por për të shkuar në Gjermani, atij i duhet të paguajë edhe 2500 dollarë të tjerë. I pyetur pse ndodhet këtu, ai përgjigjet si shumica e refugjatëve. „Sepse duam të shkojmë në Europë“. Por kalimi i kufirit bullgaro-serb është bërë i vështirë.
Kush ia del të kalojë kufirin, merr drejtimin veriperëndimor. 900 kilometra më tutje vjen kufiri tjetër me Hungarinë. Edhe këtu qëndrojnë të izoluar shumë emigrantë që duan të bëjnë kërkesën për azil në Hungari. Por ky vend pranon vetëm 30 refugjatë në ditë, e kur kjo shifër arrihet, Budapesti i kthen refugjatët që kanë hyrë ilegalisht sërish në Serbi. Shumë prej tyre zbarkojnë në qendrën serbe të pranimit të refugjatëve, Suboticë. /m.g/